Argjend Mustafa mund të largohet nga Skënderbeu. Burime jo zyrtare konfirmojnë se mesfushori nga Kosova pritet t’i japë “lamtumirën” kampionëve në këtë merkato dimri.
Fakti që në ekip është edhe Argjend Malaj, Sabien Lilaj, Nurendin Orelese dhe Bakari Nimaga, por edhe afrimi i Bruno Lulajt që mund të luajë para mbrojtjes reduktojnë në maksimum hapësirat për Mustafën.
Në vend të këtij të fundit, mësohet se trajneri Ilir Daja preferon më shumë Malajn, pasi e njeh më mirë lojën e tij duke qenë se e ka pasur në urdhrat e tij te Tirana sezonin e shkuar.
Me trajnerin Agostineli, Mustafa fitoi “balotazhin” me Malajn, por duket se tani gjërat kanë ndryshuar.
Ndërkohë që edhe Enis Gavazaj duket se nuk ka vend te Skënderbeu. Ish-lojtari i Shpresave të Shqipërisë ka marrë minutazhin e nevojshëm gjatë pjesës së parë të sezonit, por nuk ka bërë diferencën siç pritej prej tij në fillim të kampionatit.
Lojtari që ka provuar në luajë edhe në Belgjikë mund të jetë “i sakrifikuari” i radhës, duke qenë se Fukui gjithashtu është një futbollist që Ilir Daja e pëlqen për vetë karakteristikat e lojës që trajneri kryeqytetas aplikon në fushën e lojës.