Ylber Ramadani debutoi në Serie A fundjavën e fundit ku luajti si titullar për Leccen në sfidën hapëse ndaj Lazios. Mesfushori shqiptar dhuroi një performancë fantastike duke impresionuar jo vetëm trajnerin, por edhe tifozët e opinionin publik në Itali.
Në një intervistë për ‘Daily Record’, Ramadani foli për emocionet e debutimit dhe aventurën që mbylli tek ish-skuadra e tij Aberdeen. Ai shprehet se ka qenë një ëndërr fëmijërie të luante në Serie A ndërsa do t’i jetë gjithmonë mirënjohës ekipit skocez që e ndihmoi ta bënte realitet.
Serie A
“Është një hap i madh për mua dhe më është dashur ta bëj. Kur isha fëmijë, gjithmonë ëndërroja të luaja në një nga ligat më të mira në botë. Seria A është liga e dytë më e mirë në botë dhe për mua ishte një ëndërr e realizuar. I thashë babait se kam 12 vjet që jam larguar nga shtëpia dhe gjithmonë i kam thënë se do t’ia dalim. Kështu që kur erdhi rasti, më duhej t’u thosha drejtuesve të klubit se duhet të lëviz, sepse kjo është ëndrra ime, që të luaj në Serinë A. Duhet të falënderoj të gjithë, klubin e Aberdinit, sepse më dhanë këtë mundësi dhe e lejuan që ky transferim të kryhej.”
Debutimi me Lecce
“Kampionatin italian e njoh mirë, sepse e shikoj çdo fundjavë. Më pëlqen projekti në Leçe. Ata po investojnë, kërkojnë të përmirësohen. Duan të qëndrojnë në kategori dhe të shkojnë më lart se vitin e kaluar. Mezi pres të luaj në disa stadiume më të mira dhe gjithashtu në Leçe kemi një turmë të madhe tifozësh në shtëpi. Në ndeshjen e parë kundër Lacios ishin shitur të gjitha biletat.”
Aberdeen
Kam pasur një telefonatë me video me drejtuesit. Ata më thanë se donin që unë të vija në Aberdin dhe t’i bashkohem projektit të tyre. Pranova brenda një ore, për të qenë i sinqertë. Shkova në mars të vitit të kaluar edhe pse sezoni i tyre nuk kishte përfunduar. E dija që ekipi po luftonte për të shmangur “play out”-in e rënies. Shikoja çdo ndeshje dhe shpresoja se do të qëndronim lart në renditje. Aberdini nuk ishte mirë në atë moment, por dhashë fjalën se do të shkoja atje. Aberdini do të jetë gjithmonë në zemrën time dhe në atë të familjes sime. Klubi më trajtoi sikur të kishim qenë së bashkë për 20 vite. Ishte emocionuese për mua kur u largova. Shumica e tifozëve më donin dhe ata ende më dërgojnë mesazhe. Koha ime tek Aberdini ka qenë një nga periudhat më të mira në karrierën time deri më tani. Të gjithë më mirëpritën që nga dita e pare. E dija se do të bëja mirë në Aberdini, sepse besoj në veten time. Ishte hapi më i mirë në karrierën time për të kaluar aty dhe kjo është një kohë që nuk do ta harroj kurrë.”
Pika kulmore
“Kur mundëm Rejnxhërsin në shtëpi dhe gjithashtu St.Mirren, mund të them se ishin ndeshjet më të spikatura. Kur fola për herë të parë me klubin, u thashë se dua të vij dhe të konkurrojmë për tri vendet e para në kampionat. Jam shumë i lumtur që e bëmë këtë, sepse e meritojnë. Është një klub i madh dhe ne ia dolëm. Kishte ulje-ngritje, por ne arritëm të shkojmë në Europë”, u shpreh Ramadani.