Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

KOMBETARJA

EKSKLUZIVE/ “Presionin më të madh e kanë serbët”, legjenda e Kombëtares, Klod Duro: Nuk e mendoj rezultatin negativ, fitojmë 3-1

Shkruar nga Nikoll Rajta
EKSKLUZIVE/ “Presionin më të madh e kanë
Fotomontazh/ Kombëtarja shqiptare - Klodian Duro

Kombëtarja shqiptare do të përballet mbrëmjen e sotme me Serbinë, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë në orën 20:45.

Në prag të këtij dueli, në një intervistë ekskluzive për “Newsport.al”, ka folur edhe ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Klodian Duro. Legjenda kuqezi me 6 gola të shënuar në 77 ndeshje, shprehet mjaft optimist për këtë ndeshje.

Ish-mesfushori fantazist thotë se Shqipëria duhet dhe do ta fitojë këtë ndeshje. Madje Duro shton, se sipas tij, ndeshja do të përfundojë 3-1 në favor të kuqezinjve, me golat e Manajt, Brojës dhe Dakut.

Sa shanse mendoni se ka Shqipëria përballë Serbisë?

Kemi shumë shanse sepse e para luajmë në fushën tonë, me publikun tonë që do të jetë kuqezi në shkallët e stadiumit. Kemi tre pikë, ato të fitores me Andorrën kështu që kemi shumë shanse, kemi një grup lojtarësh dhe një ekip që mundet dhe duhet ta fitojë këtë ndeshje.

Mendoni se numri i tifozëve në stadium do të jetë një plus apo do të shtojë emocionet te lojtarët e Kombëtares sonë?

Mendoj se tifozët do jenë ‘arma’ plus, do jenë ai lojtari i 12-të që do të bëjë diferencën mendoj unë dhe që do t’i japi shtysë të gjithë futbollistëve në fushën e lojës. E kanë treguar gjithmonë tifozët shqiptarë në stadium mbështetjen për ekipin kombëtar dhe mendoj se edhe këtë herë do jetë e zjarrtë, e shumtë në shkallët e stadiumit. Mendoj se edhe futbollistët në fushën e lojës do të ndihen më të çliruar dhe më të motivuar për të fituar këtë ndeshje.

Mendoni se një rezultat negativ përballë serbëve do të jetë vendimtar në rrugëtimin tonë drejt Botërorit 2026?

Nuk e mendoj rezultatin negativ. Mendoj gjithmonë pozitivisht dhe mendoj se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që me një lojë të mirë, me përkrahjen e tifozëve të arrijmë një fitore të madhe do thoja unë. Fitorja e kësaj ndeshjeje ka një rëndësi shumë të madhe sepse fiton ndaj kundërshtarit tonë direkt siç është Serbia në grupin tonë në luftën për një biletë për në kualifikimin e Botërorit. Duke fituar me Serbinë ne marrim një avantazh shumë të madh edhe nga ana psikologjike për të vazhduar më të qetë pastaj të gjitha ndeshjet në grupin tonë. Shqipëria ka treguar gjithmonë gjatë gjithë historisë së futbollit të saj që në ndeshje të tilla të mëdha dhe derbi kemi arritur që të marrim dhe fitoret më të mëdha në historinë tonë, siç ka qenë dhe ajo me Greqinë, kampionët e Europës në vitin 2004 që ne e fituam me një stadium të tejmbushur dhe i dhuruam të gjithë tifozëve shqiptarë kënaqësi shumë të madhe.

Cilin prej lojtarëve tanë e shihni si “yllin” që mund të bëjë protagonistin përballë Serbisë?

Kemi shumë lojtarë cilësorë që mund të bëjnë diferencën në këtë ndeshje. Sigurisht që diferencën duhet ta bëjë grupi ynë, i gjithë ekipi që duhet të luftojë si një trup i vetëm bashkë me tifozët për të dhuruar këtë fitore. Por nëse do më duhet të them një emër, në ndeshjen e nesërme diferencën mund ta bëjë ai që pritet më shumë nga të gjithë tifozët, Armando Broja.

Cili ekip mendoni se do të ketë më shumë presion, Shqipëria apo përfaqësuesja serbe?

Futbollistët tanë duhet të jenë shumë të karikuar. Presioni mendoj se do jetë në anën e ekipit serb sepse ata vijnë në fushën tonë, vijnë përballë ekipit tonë, luajnë ndeshjen e parë në grup, sepse ne tashmë i kemi tre pikët me Andorrën. Mendoj se presionin më të madh e ka përfaqësuesja serbe.

Një rezultat në “kokë” sipas jush, sa mendoni se përfundon ndeshja?

Uroj që sot të jetë një ditë e madhe për Shqipërinë, për shqiptarët dhe futbollin shqiptar. Të madhe e bën një fitore përballë Serbisë për të treguar forcën tonë dhe për të treguar që ne i kemi të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar. Nëse doni një rezultat, unë uroj që Shqipëria të shënojë gola dhe të fitojë me rezultatin ndoshta 3-1. Golat mund t’i shënojë Manaj, Broja dhe Daku. Uroj që nesër kjo fitore të jetë një festë e madhe si në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjithë vendet ku jetojnë shqiptarët.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga