Kombëtarja U-21 vijon përgatitjet në Moldavi në kuadër të ndeshjes së parë miqësore ndaj Moldavisë, që do të luhet të enjten më 13 nëntor, në qendrën stërvitore të Kombëtares moldave, në Vadul lui Vodă, në orën 12:00.
Pas seancës stërvitore, për fshf.org folën Arlind Kurti dhe Burak Alili.
Kurti theksoi se skuadra tashmë është plotësuar dhe se grupi është i përqendruar maksimalisht për përballjen ndaj Moldavisë. Mbrojtësi kuqezi tha se e njohin si kundërshtar, pasi kanë luajtur dy miqësore një vit më parë dhe vuri në dukje rëndësinë e përgatitjeve në kuadër të Europianit 2027.
“Të gjithë djemtë kanë ardhur, jemi bashkuar të gjithë. Sot është stërvitja e parë që do të bëjmë këtu. Jemi të përqendruar për ndeshjen që na pret më 13 nëntor.
Moldavia? – E njohim, pasi kemi zhvilluar edhe dy ndeshje më parë në Tiranë me ta. Kemi fituar dhe barazuar. Është ekip që luan fort dhe është i bashkuar. Ne duhet të jemi të përqendruar për të dhënë maksimumin tonë.
Tani e dimë që jemi kualifikuar dhe duhet të përgatitemi shumë mirë, sepse në Europian na presin ndeshje shumë të vështira. Kundërshtarë që kemi pasur edhe më parë, si Gjermania dhe Zvicra. Janë ndeshje shumë të rëndësishme, për ne nuk ka ndeshje miqësore. Duhet të futemi në fushë për të fituar çdo ndeshje”, – u shpreh Arlind Kurti.
Ndërkohë, mesfushori Burak Alili vlerësoi atmosferën pozitive në grup dhe theksoi rëndësinë e këtyre dy përballjeve për përgatitjen e skuadrës.
“Sot kemi stërvitjen e parë me ekipin. Atmosfera është shumë e mirë. Po përgatitemi sa më mirë për këto dy ndeshje.
Moldavia? – Kemi pasur dy ndeshje më parë. Kemi fituar dhe barazuar. Do të japim maksimumin për të fituar më 13 nëntor.
Jemi të kualifikuar direkt në Europian, por këto ndeshje miqësore i shohim si ndeshje kualifikuese. Do të japim maksimumin për të bërë rezultate sa më të mira dhe për të fituar çdo ndeshje”, – tha Burak Alili.
