Fundjava ka sjellë paraqitje pozitive për futbollistët shqiptarë që aktivizohen në kampionatet europiane dhe më gjerë, me disa prej tyre që kanë spikatur me gola dhe asistime për skuadrat respektive.
Protagonisti kryesor i javës ishte mesfushori i Kombëtares, Qazim Laçi, në fitoren bindëse 4-1 të Rizespor ndaj Samsunspor. Futbollisti shqiptar ishte vendimtar në këtë sfidë duke kontribuar me një gol dhe dy asistime. Ai shërbeu fillimisht për gol në minutën e 43-të, ndërsa në kohën shtesë të pjesës së parë realizoi edhe vetë duke dërguar topin në rrjetë.
Me nisjen e pjesës së dytë, Laçi dhuroi edhe asistin e dytë të ndeshjes, duke konfirmuar një formë shumë të mirë. Mesfushori i Kombëtares është aktualisht edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij me pesë gola, ndërsa ka regjistruar edhe tetë asistime gjatë sezonit.
Gol realizoi edhe sulmuesi Myrto Uzuni në kampionatin amerikan. Në sfidën mes Austin FC dhe LA Galaxy, Uzuni shënoi në minutën e 85-të me një goditje të saktë nga hyrja e zonës, duke e dërguar topin në trekëndësh. Ky ishte goli i dytë sezonal për sulmuesin shqiptar në MLS.
Gjatë kësaj fundjave u aktivizuan si titullarë me skuadrat e tyre edhe disa futbollistë të tjerë të Kombëtares si Thomas Strakosha, Stavro Pilo, Berat Gjimshiti, Klisman Cake, Ardian Ismajli, Adrion Pajaziti, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Nazmi Gripshi, Anis Mehmeti dhe Mirlind Daku.
Minuta në këtë fundjavë morën edhe futbollistë të tjerë shqiptarë që u aktivizuan nga stoli me ekipet e tyre, si Kristjan Asllani, Arbër Hoxha dhe Armando Broja, ndërkohë që mbrojtësi Marash Kumbulla u rikthye në fushë me Mallorca-n në sfidën e fundit kundër Rayo Vallecano.
