
Pritja mori fund paraditen e sotme, pasi tashmë kemi mësuar se kush janë lojtarët e grumbulluar nga Sylvinho për kualifikueset e Kupës së Botës. Një listë me plotë mungesa dhe rikthime të rëndësishme, por mes tyre ka edhe plotë surpriza.
Kështu risia e këtij grumbullimi përveç Etnik Brrutit është edhe Julian Shehu. 26-vjeçari ka siguruar për herë të parë ftesën e Kombëtares A, duke fituar kështu edhe “zemrën” e Sylvinhos dhe në këtë mënyrë do të ketë mundësinë të debutojë me kuqezinjtë në sfidat me Anglinë dhe Andorrën.
Shehu nuk është një lojtar i panjohur në vendin tonë, pasi para 3 sezonesh ka qenë një nga protagonistët e Superiores. Mesfushori ka mbajtur veshur fanellën e Laçit në kampionatin shqiptar, duke qenë një lider te kurbinasit.
Ndërkohë në verën e vitit 2022 ka kaluar në Poloni, ku aktualisht mban veshur fanellën e skuadrës së Widzeë Lodz. Me këto të fundit në këtë sezon ka mundur të luajë 23 ndeshje, në total 1,546 minuta. Ka mundur të shënojë 1 gol dhe të dhurojë edhe 1 asist për polakët në të gjitha garat ku marrë pjesë.
Vlen të theksohet se Shehu në të kaluarën ka mbajtur veshur fanellën e kombëtares Shpresa, ku ka mundur të luajë në 8 ndeshje.