
Etnik Brruti është kthyer në qendër të mediave ditët e fundit për shkak se futbollisti ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke “braktisur” në një farë mënyre Kosovën.
Ky rast ka shkaktuar shumë zhurmë sidomos në Kosovë, teksa kritikat kanë vërshuar “lumë” ndaj tim, madje duke e konsideruar edhe si tradhëtar. Në lidhje me këtë situatë ka folur Armand Duka.
Kreu i FSHF-së ka theksuar se kushdo që e ndien veten shqiptar mund të luajë për kuqezintë dhe Kombëtaren tonë. Padiskutim që sipas tij për çdo situatë gjysma do të jenë gjithmonë pro e gjysma tjetër kundër, kështu që ndër të tjera thekson se dëshira e loijtarit ka qenë gjithmonë të veshë fanellën kuqezi.
“Kalimi i lojtarëve nga Kosova te Shqipëria (rasti i Brrutit)? Pashë një status të babait të lojtarit dhe mendoj që ishte i duhuri. Akuza për mua apo FSHF-në ka në të dyja drejtimet, pse e keni marrë këtë lojtar apo pse nuk e keni marrë. Edhe kur i merr, edhe kur nuk i merr, gjysma e njerëzve janë pro dhe gjysma kundër. Nëse je i bindur që ke bërë më të mirën, duhet të vazhdosh ta bësh. A e kam marrë unë Brrutin? Unë jam një nga ata që vendos për politikat e FSHF-së dhe një nga politikat tona është që dera e Kombëtares është e hapur për këdo. Ne marrim vetëm futbollistët shqiptarë, kushdo që ndihet shqiptar luan për ne.
Etnik Brruti? Në këndvështrimin sportiv, të gjithë ata që janë mbështetës të përfaqësueses së Kosovës mund të kenë një lloj të drejte, nëse futbollisti është një talent që mund të kishte kontribuar për ekipin që ata mbështesin. Në këtë këndvështrim kanë të drejtë. Në këndvështrimet e tjera nuk kanë të drejtë, sepse kushdo vendos vetë për veten. Nuk kemi pse mërzitemi, ne jemi bërë krenarë që Xhaka luan me Zvicrën, tani mërzitemi se pse Brruti luan me Shqipërinë. Brruti e ka marrë pasaportën dhe kemi aplikuar dhe për vizën angleze dhe uroj ta kemi në kohë”, ka deklaruar Duka.