
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, po zhvillon një vizitë zyrtare në Kinë, në ambientet e Federatës Kineze të Futbollit.
Gjatë kësaj vizite, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar i shoqëruar edhe nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kinë, z. Riza Poda, u prit në një takim zyrtar nga Presidenti i Federatës Kineze të Futbollit, z. Xu Jiren, dhe stafi i tij.
Qëllimi i takimit ishte forcimi i marrëdhënieve dhe shkëmbimi i eksperiencave midis dy federatave. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Presidenti Duka e ka cilësuar takimin si shumë pozitiv dhe të vlefshëm, duke theksuar se u hodhën bazat për krijimin e hapave të rinj bashkëpunimi në të ardhmen me Federatën Kineze të Futbollit.
"Hapa të rinj bashkëpunimi me Federatën Kineze të Futbollit! Një takim shumë pozitiv me z. Xu Jiren dhe ekipin e CFA për të ndërtuar ura në futboll, nga ekipet e moshave deri te shkëmbimet teknike", shkruan Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit në rrjetet sociale.