
Në kuadër të Javës Botërore të Futbollit, Shoqata Rajonale e Futbollit Fier organizoi edicionin e katërt të festivalit të futbollit për vajza, me pjesëmarrjen e vajzave të moshës 9–10 vjeç nga gjashtë shkolla 9-vjeçare të qytetit të Fierit.
Ky aktivitet synon të promovojë sportin në moshë të re dhe të nxisë pjesëmarrjen e vajzave në futboll. Përmes këtij festivali, synohet fuqizimi i vajzave që në fëmijëri, duke i ndihmuar ato të fitojnë vetëbesim, vendosmëri dhe të njihen herët me modele sjelljesh pozitive dhe mundësi zhvillimi personal e sportiv.
Gjatë festivalit, vajzat treguan përkushtim, talent dhe dëshirë për të mësuar dhe luajtur. U vu re një rritje e ndjeshme e entuziazmit dhe bashkëpunimit mes shkollave, çka dëshmon suksesin e projektit si pjesë e zhvillimit të futbollit për vajza në Fier.
Aktivitetet u shtrinë në dy dimensione kryesore: performanca sportive dhe vallëzimi ritmik me topin. Vajzat ushtruan aftësi të tilla si driblimi, pasimi dhe gjuajtja, me përmirësim të dukshëm krahasuar me edicionet e mëparshme. Gjithashtu, ato realizuan koreografi të thjeshta me muzikë për të përmirësuar koordinimin trup–top, si dhe morën pjesë në ushtrime, pasime, gjuajtje në objektiv dhe ndeshje të vogla 3×3 dhe 4×4.
Ky festival konfirmon edhe njëherë përkushtimin e Federatës së Futbollit për të përfshirë vajzat në sport dhe për të zhvilluar më tej futbollin e vajzave në vend.