
Është inaguruar investimi i Federatës së Futbollit në kuadër të përgjegjësisë sociale, në Famullinë e Shën Prendas, në Juban të Shkodrës. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferri, Kryetari i SHRF Shkodër, Lazër Matija, prifti i kishës së Shna Prendes, Dom Mikel Pllumaj si dhe përfaqësues të futbollit në Shkodër, përfaqësues të mediave dhe fëmijë të komunitetit.
Presidenti Duka u njoh nga afër me investimin e fushës me bar sintetik në Famullinë e Shën Prendas ndërsa mbajti edhe një fjalë rasti ku falënderoi të pranishmit për interesin dhe angazhimin e madh për përmirësimin e kushteve dhe jetesës në zonën e Jubanit. Ai theksoi rëndësinë e futbollit për edukimin e fëmijëve dhe për shëndetin e tyre, duke shtuar se iniciativa për ndërtimin e fushës ishte e rëndësishme dhe e frymëzuar nga qëllimin i përbashkët për edukimin e fëmijëve.
Presidenti përmendi dhe rolin historik të Jubanit dhe Shkodrës në lindjen e futbollit në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për komunitetin dhe sportin, veçanërisht për vajzat.
“Në radhë të parë unë dua t’ju falënderoj ju për interesin e madh që keni për përmirësimin e kushteve, përmirësimin e jetesës së zonës dhe në të njëjtën kohë për kujdesin që ke që edukimin mirëqënien e zonës ta bashkoni me sportin. Është e vërtetë që futbolli ka një fuqi magjike, këtu sinergjitë tona bashkohen, të kishës dhe futbollit për të realizuar qëllimin e përbashkët që kemi, për t’i edukuar sa më mirë fëmijët, për t’i bërë sa më të shëndetshëm dhe sa më të dobishëm për shoqërinë dhe familjen. Ju falënderoj shumë për investimin që kemi bërë bashkë, për fushën e futbollit, që do t’i shërbejë jo vetëm fëmijëve të Famullisë dhe të shkollës, por edhe fëmijëve të gjithë zonës.

Në këtë zonë, në Shkodër dhe pikërisht nga një prift ka lindur futbolli në Shqipëri. Nuk është hera e parë që vijmë në Juban, pasi kemi qenë në inaugurimin e një tjetër projekti, jemi sot dhe në asnjë rast nuk do të themi jo, por do të jemi bashkëpunues për të mirën e komunitetit, për të mirën e fëmijëve dhe aq më shumë të vajzave. Ju falënderoj për organizimin e kësaj ceremonie” – tha Presidenti Duka.
Prifti i Famullisë së Shën Prendas, Dom Mikel Pllumaj në fjalën e tij vlerësoi bashkëpunimin me Federatën për ndërtimin e kësaj fushe dhe falëndëroi Presidentin Duka për kontributin. “Të falënderojmë, kjo është traditë. Nuk ëshë kontributi i parë që jepni për Jubanin. Do ju kërkojmë prapë për mbështetje. Është kënaqësi bashkëpunimi me ju dhe ju falënderoj. Jeni gjithmonë i mirëseardhur”.
Me ndërtimin e kësaj fushe, në Juban është krijuar një hapësirë e re sportive për banorët e zonës, e cila pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e jetës sportive dhe sociale të komunitetit.