Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka qenë i ftuar së fundmi në “Top Albania Radio” në Top Channel. Si fillim, Duka është ndalur të flasë për nivelin e kampionatit shqiptar, duke e krahasuar atë me rajonin.
“Nga pikëpamja e garës kampionati është shumë interesant dhe askush nuk e parashikon. Nëse do të flasim për nivelin, i yni nuk është në nivelet e kampionateve të përparuara të Europës, ka bërë hapa pozitivë përpara, por është ende larg. Sa i përket Ballkanit, jemi mirë në disa komponentë dhe duhet të punojmë në aspekte të tjera. Sa i përket stadiumeve jemi para, por mund të kishim numër më të madh fushash për stërvitje”, u shpreh Duka.
Më tej, kreu i FSHF-së dhe zv.presidenti i UEFA-s ka folur mbi mundësinë që Shqipëria dhe Kosova të kenë një kombëtare të përbashkët. Gjë kjo, që sipas Dukës është e pamundur, përderisa janë dy shtete të ndara.
“Që Shqipëria dhe Kosova të kenë një Kombëtare është e pamundur përderisa nuk jemi një shtet. Ajo çfarë mund të mendoj unë do të ishte që njëri nga shtetet të vendosë të mos ndërtojë Kombëtare dhe lojtarët të shkojnë në njërin prej ekipeve”, tha më tej kreu i FSHF-së.
Gjithashtu, Duka është ndalur edhe tek emocionet më të forta që ka ndjerë së fundmi me Kombëtaren. Madje, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit i është përgjigjur edhe disa pyetjeve “rrufe” për lojtarin e tij të preferuar, ndërsa thekson se është surprizuar nga mesfushori Juljan Shehu.
“Emocion më shumë kam përjetuar në ndeshjen me Andorrën, kishte shumë pak raste dhe po hasnim vështirësi. Goli që më ka mbetur më shumë në mendje është i Bajramit në Çeki. Trajneri më karizmatik që ka pasur Kombëtarja është De Biasi. Lojtari që më ka surprizuar është Juljan Shehu. Unë personalisht nuk jam për teknologjinë, por VAR-i ka korrigjuar shumë gabime dhe ka shënuar progres të madh në këtë aspekt.
Broja apo Muci? -Muçi.
Hysaj apo Gjimshiti? -Elsi.
Strakosha apo Berisha? -Berisha.
Asllani apo Ramadani? -Ramadani.
Manaj apo Bajrami? -Manaj për golin në Serbi.
Cana apo Mavraj? -Cana.
Tare apo Bogdani? -Bogdani.
Lila apo Lala? -Lala.
Skuadrat favorite në Botëror janë Franca, Anglia, Portugalia. Unë jam me Brazilin. Do të organizojmë Europianin për 21-vjeçarët në vitin e ardhshëm dhe po lobojmë për të pasur finalen e Superkupës së Europës në Shqipëri në vitin 2028. Zakonisht ne kur nisemi, i realizojmë gjërat”, përfundoi presidenti Duka.
