Federata e Futbollit do të organizojë gjatë muajve shkurt – mars turneun e parë europian për vitin 2026, duke mirëpritur ndeshjet e raundit të dytë të grupit B6, të vlefshme për Kampionatin Europian U-17 për vajza.
Në këtë grup bëjnë pjesë Shqipëria si vend mikpritës, Izraeli dhe Andorra, teksa të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në vendin tonë më 26 shkurt, 1 dhe 4 mars.
Tashmë janë përcaktuar edhe oraret e stadiumet e këtyre përballjeve. Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë të këtij raundi kundër Andorrës më 26 shkurt, në “Shtëpinë e Futbollit” në ora 14:00. Përballja e dytë mes Izraelit dhe Andorrës do të luhet më 1 mars po në “Shtëpinë e Futbollit” në ora 12:00.
Raundi do të mbyllet me sfidën mes Shqipërisë dhe Izraelit, më 4 mars, ora 14:00, në “Shtëpinë e Futbollit”.
Në ditët në vijim trajnerja e Kombëtares U-17, Cyme Lulaj do të bëjë publike listën me 20 futbollistet e grumbulluara për sfidat e këtij raundi.
Kalendari i ndeshjeve
Shqipëri – Andorra, 26 shkurt, ora 14:00, “Shtëpia e Futbollit”
Andorra – Izrael, 1 mars, ora 12:00, “Shtëpia e Futbollit”
Izrael – Shqipëri, 4 mars, ora 14:00, “Shtëpia e Futbollit”
