Federata e Futbollit do të vijojë edhe në vitin 2026 traditën e organizimit të turneve europiane për kombëtaret e moshave, për djem dhe vajza, në vendin tonë. Deri në muajin qershor janë të programuara dhe të konfirmuara 7 mini-turne.
Turneu i parë do të nisë në muajin shkurt, me ndeshjet e raundit të dytë të Ligës B të kualifikueseve për Kampionatin Europian U-17 për vajza. Kombëtarja shqiptare bën pjesë në grupin B6, së bashku me Andorrën dhe Izraelin. Ndeshjet e këtij mini-turneu do të luhen më 26 shkurt, 1 dhe 4 mars 2026, në “Shtëpinë e Futbollit”.
Në muajin mars, Kombëtarja U-19 për djem do të zbresë në fushë për ndeshjet e raundit të parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian. Kuqezinjtë janë në grupin B4, së bashku me Norvegjinë, Luksemburgun dhe Maltën. Ndeshjet e këtij mini-turneu do të luhen në Shqipëri, nën organizimin e FSHF, më 25, 28 dhe 31 mars 2026.
Muaji prill do t’i takojë Kombëtares U-19 për vajza, e cila do të zhvillojë ndeshjet e raundit të dytë kualifikues të Kampionatit Europian. Shqipëria është në grupin B5 së bashku me Turqinë, Malin e Zi dhe Lihtenshtejnin. Të gjitha ndeshjet do të luhen më 9, 12 dhe 15 prill 2026, nën organizimin e FSHF.
Gjithashtu, gjatë muajit prill, FSHF do të organizojë në “Shtëpinë e Futbollit” edhe dy turne zhvillimorë UEFA Development U-16 për djem dhe vajza.
Turneu UEFA Development U-16 për djem do të nisë më 1 prill, me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Austrisë, Suedisë dhe Japonisë. Ndeshjet janë programuar të luhen më 1, 3 dhe 6 prill.
Ndërkohë, turneu UEFA Development U-16 për vajza do të zhvillohet nga data 11 prill, me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Uellsit, Norvegjisë dhe Italisë. Ndeshjet do të luhen më 11, 13 dhe 16 prill.
Po ashtu, në muajin prill, FSHF do të organizojë edhe turneun e grupit E të raundit paraeliminator të Kupës së Botës në futsall. Në këtë grup bëjnë pjesë Shqipëria, Letonia, Qipro dhe San Marino. Ndeshjet do të zhvillohen në Parkun Olimpik “Feti Borova”, më 9, 10 dhe 12 prill.
Në muajin qershor, Kombëtarja U-17 për djem do të luajë ndeshjet e raundit të dytë kualifikues, ku Shqipëria U-17 do të përballet me Ukrainën dhe Letoninë. Edhe ky mini-turne do të zhvillohet në Shqipëri, më 3, 6 dhe 9 qershor 2026.
Në total, 7 turne të konfirmuar deri në muajin qershor 2026, ndërsa FSHF do të jetë gjithashtu organizatore e disa ndeshjeve miqësore për kombëtaret e moshave, të cilat do të bëhen publike pas finalizimit të marrëveshjeve me ekipet kombëtare kundërshtare.
