Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

55-vjetori i marrëdhënieve diplomatike dhe ndeshjes 17 nëntori – Ajax, FSHF & Ambasada e Holandës organizojnë event të veçantë

Shkruar nga NEWSPORT
55-vjetori i marrëdhënieve diplomatike dhe ndeshjes 17 nëntori
Armand Duka krah zyrtarëve holandezë

Në ambientet e stadiumit “Air Albania” u zhvillua sot një event i veçantë i organizuar nga Federata e Futbollit në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Tiranë, në kuadër të Javës Kulturore Holandeze dhe 55-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Kjo ngjarje përkoi gjithashtu me përvjetorin e ndeshjes historike mes “17 Nëntorit” dhe Ajax-it, e zhvilluar dekada më parë dhe që mbetet një kujtim i paharruar për tifozët shqiptarë.

Në këtë aktivitet morën pjesë Presidenti i FSHF-së, z. Armand Duka, Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, z.Reinout Vos, ish-futbollistë të dy skuadrave të asaj kohe si Arie Haan, i cili ka qenë edhe trajner i ekipit tonë kombëtar (2008-2009), Ruud Krol, Niko Xhaçka, Arben Çela, si edhe shumë ish-futbollistë të shquar, personalitete, gazetarë etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Duka vlerësoi rëndësinë historike të kësaj ndeshjeje që ka mbetur në kujtesën e futbollit shqiptar, duke përshëndetur protagonistët e asaj kohe, si dhe figurat e njohura të futbollit holandez, Rudi Krol dhe Arie Haan, të pranishëm në ceremoni.

Ai theksoi se futbolli ka një fuqi të veçantë për të bashkuar popujt dhe për të ndërtuar ura miqësie përtej politikës, duke nënvizuar se “futbolli i paraprin diplomacisë dhe krijon lidhje që shkojnë përtej fushës së lojës”.

Presidenti Duka vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Holandës, si në aspektin diplomatik ashtu edhe në atë sportiv, duke përmendur bashkëpunimin e ngushtë me Federatën Holandeze të Futbollit dhe shembuj konkretë si finalja e parë e Conference League të zhvilluar në Tiranë, ku mori pjesë edhe klubi Feyenoord.

Në mbyllje, Presidenti Duka falënderoi ambasadën holandeze për partneritetin dhe theksoi se Federata Shqiptare e Futbollit do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që promovojnë kulturën, sportin dhe miqësinë mes popujve.

“Është kënaqësi për mua që, në emër të futbollit shqiptar, t’ju përshëndes të gjithë pjesëmarrësit në këtë sallë, ambasadorin e Mbretërisë së Holandës, përfaqësuesit e ambasadës, ambasadorin e Ukrainës, figurat e futbollit, duke nisur me protagonistët e ndeshjes së vitit ’70, Rudi Krol, Arie Haan, që për Shqipërinë është një emër i njohur jo vetëm si futbollisti i Ajax-it në vitet ’70 dhe i Kombëtares, apo për dy golat fantastikë që ka shënuar kundër Gjermanisë dhe Italisë në Botëror, por edhe si pjesë e historisë së futbollit shqiptar, duke qenë se ka drejtuar Kombëtaren shqiptare për një vit. Gjithashtu, protagonistët e asaj kohe, Xhakën, Celën, Konomin dhe të gjithë ata që e kanë përjetuar dhe që janë këtu.

Në fakt, këtu slogani thotë “historia përtej futbollit”. Nuk e di pse, por mbase futbolli është më shumë se historia. Pse sot Federata e Futbollit, në përvjetorin e marrëdhënieve diplomatike, është bashkëorganizatore e këtij eventi? Sepse futbolli është më shumë se politika, sepse futbolli i paraprin diplomacisë. Futbolli është një lojë magjike, por është një lojë që realizon shumë gjëra të tjera, bashkon popuj, krijon lidhje, i paraprin diplomacisë, dhe unë për këtë jam shumë i lumtur që ambasada na ka përzgjedhur si partner për të hapur javën kulturore holandeze me një kujtim të aktiviteteve sportive.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Holandën janë të shkëlqyera edhe sot. Padyshim që në 55 vite ka patur zhvillime të mëdha dhe sot ato janë të shkëlqyera. Gjithashtu edhe në aspektin sportiv janë të tilla. Ne kemi shumë shkëmbime me Federatën, kemi marrëdhënie shumë të mira me Federatën dhe Presidentin e Federatës Holandeze, Frank Paauë, i cili vetëm në vitin e fundit ka vizituar dy herë Shqipërinë. Kemi zhvilluar shumë aktivitete. Ju rikujtoj që Feyenoord do të mbetet në histori si pjesëmarrës në finalen e parë të Conference League që u luajt në Tiranë.

Gjithashtu, mbase është një lajm që ju nuk e dini. Javën e ardhshme ekipi i vajzave të PSV Eindhoven do të luajë në “Shtëpinë e Futbollit” një ndeshje të Women’s Europa Cup ndaj Minsk. Aktivitetet tona të përbashkëta vazhdojnë, do ta forcojnë akoma këtë bashkëpunim dhe do ta ndihmojnë diplomacinë në marrëdhëniet e dy popujve. Të punosh rreth futbollit nuk është shumë e vështirë. Vërtet ka impenjim, por nuk është shumë e vështirë, sepse futbolli është një lojë shumë e bukur, magjike, që vërtet mund të kryejë dhe realizojë shumë objektiva për përmirësimin e jetës së shoqërisë dhe marrëdhënieve në përgjithësi.

Dua t’ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe dua t’ju garantoj që këto marrëdhënie dhe ky kontribut i përbashkët do të vazhdojnë dhe do të jenë të tilla. Uroj të keni sa më shumë suksese”, – tha Presidenti Duka.

Poll

Lexo gjithashtu