
Ditët e fundit po përflitet për një largim të mundshëm të Sylvinhos nga drejtimi i Kombëtares shqiptare. Trajneri brazilian është në “radarët” e klubit të njohur në Brazil, Botafogo.
Sipas gazetarit të “Euronews Albania”, Enriko Gabaj, tekniku e ka marrë në konsideratë telefonatën që i është bërë nga presidenti i klubit brazilian. Burime të afërta pranë klubit të Botafogos tregojnë se emri i Sylvinhos është sugjeruar si një opsion, nga ish-asistenti i tij në kohën kur ishte trajner i Lyon, Cacapa.
Kujtojmë se ky i fundit tashmë ka marrë rol drejtues tek klubi brazilian dhe përkohësisht bën edhe punën e trajnerit të skuadrës.
Ende nuk dihet se si ka shkuar telefonata mes Sylvinhos dhe palës tjetër, por në dijeni për këtë situatë ishin vetëm 3 persona, presidenti John Textor, drejtori sportiv Brito dhe trajneri Cacapa.
Thuhet se Botafogo do ta prezantojë trajnerin e ri brenda 1 jave dhe orët/ditët e ardhshme pritet të jenë mjaft vendimtare edhe për të ardhmen e Kombëtares shqiptare, e cila rrezikon të mbetet pa “timonier” në prag të kualifikueseve të Botërorit.