
Këtë të dielë, Tirana do të mirëpres, “Triathlon”-i, sporti që bashkon tre disiplinat sportive më të njohura dhe të praktikuara në një garë të vetme: not, çiklizëm, vrap.
Qindra sportistë, profesionistë dhe jo vetëm, do të marrin pjesë dhe do të kalojnë nëpër një rrugë të caktuar nga Bashkia e Tiranës.
Gara do të nisë pranë Parkut i Helen, afër liqenit të Farkës, dhe do të vijojë në disa prej rrugëve më të rëndësishme të qytetit.
Për të garantuar sigurinë, Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit kanë marrë masa të posaçme për menaxhimin e trafikut. Ndërhyrjet kryesore përfshijnë bllokimin e përkohshëm të qarkullimit në rrugët kryesore ku do të zhvillohet gara, nga ora 08:00 deri në 13:00.
Rrugët që do të jenë të bllokuara për këtë periudhë përfshijnë zonën përreth liqenit të Farkës, disa pjesë të Shkozës, bulevardet “Zhan D’Ark”, “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri” deri tek Pallati me Shigjeta.
Në veçanti, bllokimi do të ndodhë në këto rrugë:
Rruga e “Tuneleve” (nga kryqëzimi me “Daxhi” deri te kryqëzimi te rruga “Panorama e Liqenit”)
Rruga “Daxhi” (nga kryqëzimi “Shaqir Palushi” deri tek kryqëzimi me rrugën e “Vrapëve”)
Rruga “Diga e Liqenit” (nga “Panorama e Liqenit” deri tek kryqëzimi me “Daxhi”)
Rruga “Panorama e Liqenit” (nga “Tuneleve” deri te “Diga e Liqenit”)
Rruga interurbane kryesore (TEG – Ura Shkozë)
Bulevardet “Zhan D’Ark”, “Gjergj Fishta” dhe segmenti i bulevardit “Bajram Curri” nga Ura e Shkozës deri te Pallati me Shigjeta
Gjithashtu, disa linja urbane të transportit publik do të devijojnë ose pezullohen përkohësisht gjatë kohës së garës:
Linjat “Ish Kombinati i Autotraktorëve-Qendër”, “Materniteti i Ri-Qendër-Ish Fusha e Aviacionit” dhe “Unaza” do të pezullohen deri në përfundim të eventit.
Linjat e tjera do të kalojnë përmes rrugëve alternative, si për shembull “Selitë-Kristal-Qendër-Stacioni i Trenit-Allias” dhe “Kodra e Diellit 2-Kristal-Qendër-Stacioni i Trenit-Allias” që do të kalojnë përmes Sheshit “Uilson” ose Qendrës.
Ndërkaq, linja “TEG-Sauk i Vjetër-Kopshti Zoologjik-Ish Stacioni i Trenit” do të devijojë në Sheshin “Uilson”.
Linjat “Ish Stacioni i Trenit-Qendër-Sauk i Ri/Sauk i Vjetër/Sanatorium-TEG” dhe “Tirana e Re” do të kalojnë përmes rrethrrotullimeve përkatëse. Pavarësisht këtyre kufizimeve, automjetet e emergjencës dhe ato të Policisë së Shtetit do të kenë lirinë e lëvizjes në të gjithë zonat ku zhvillohet gara, pa pengesa.