
Rally Albania është futur në guidën e garave off-road të hartës ndërkombëtare e vit pas viti perfeksionohet. Spoti i ri i publikuar për garën e vitit 2025 që do të zhvillohet nga 7 deri në 14 qershor të vitit të ardhshëm ka gjithë elementët e perfeksionit: nga njerëzorja e maleve shqiptare, tek bota e egër dhe e virgjër, nga shtigjet me gurë nëpër male, tek lumenjtë që kapërcehen me vështirësi nga makinat e motorrët; nga emocionet e garuesve, tek organizimi i organizatorëve, raporton newsbomb.al.
Një spot që ngjason dukshëm me gjithë produksionet ndërkombëtare për gara të tilla.
Rally Albania nën moton “Adventure or nothing” fton gjithë garuesit për të qenë prezent në Shqipëri në edicionin e ardhshëm. E veçanta është se e kanë mirëmenduar këtë organizim pikërisht një muaj pasi kanë përfunduar garën e radhës me mbi 300 garues nga e gjithë bota që ishin prezent në qershorin e këtij viti në Shqipëri, në përvjetorin e 20-të jubilar të garës.
Të gjithë pjesmarrësit do të kenë kohë të mjaftueshme në dispozicion për të përgatitur axhendën e tyre dhe të zënë radhën për tu regjistruar në garë.
Organizatorët ende nuk kanë hedhur hartën e udhëtimeve të garuesve brenda vendit, por suprizat sipas tyre nuk do të mungojnë. Drejtori i garës Edvin Kasimati ka filluar punën për të përcaktuar itinerarin e radhës.
Edicioni i 21-të i Rally Albania pritet të ketë surprizat e veta ndërkohë harta e vendeve prej nga vijnë garuesit dhe të apasionuarit e Off-road sa vjen e zgjerohet. Një garë që tashmë ka krijuar pasaportën e vet të jashtëzakonshme në promovimin e turizmit shqiptar.