Fshati i heshtur i Qeparos është zgjuar nën zhurmën e motorave dhe makina për shkak të garave të rally-t që po mbahen në këtë zonë. Makina të fuqishme po mbretërojnë në rrugët malore dhe të baltosura, duke sjellë me vete jo vetëm zhurmë dhe adrenalinë, por edhe një zhvillim të rëndësishëm për ekonominë dhe turizmin lokal.
Banorët dhe vizitorët e shumtë po përjetojnë një spektakël të vërtetë, ndërsa shohin 300 garues që marrin pjesë në këtë ngjarje të madhe sportive.
Sot, Qeparo është në qendër të vëmendjes, me garat që po zhvillohen gjatë gjithë ditës. Ky aktivitet ka tërhequr një numër të madh spektatorësh dhe entuziastësh të sportit të automjeteve, duke sjellë përfitime të ndjeshme për bizneset lokale si hotelet, restorantet dhe shërbimet e tjera turistike. Për banorët, kjo është një mundësi e rrallë për të parë fshatin e tyre të kthehet në një qendër aktiviteti dhe interesi ndërkombëtar.
Pas përfundimit të garave në Qeparo, nesër garuesit do të nisen drejt Korçës, duke vazhduar aventurën e tyre nëpër rrugët malore të Shqipërisë.