Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SPORTMIX

Qeveria i pesëfishon fondet/ Nga ekipet në letra, tek 1.2 miliardë në llogari për KOKSH

Shkruar nga NEWSPORT
Qeveria i pesëfishon fondet/ Nga ekipet në letra, tek 1.2
KOKSH/ Foto ilustruese

Në një vend ku sporti zhvillohet shpesh me sakrificë, me mungesë infrastrukture dhe mbështetje të qëndrueshme, qeveria shqiptare ka zgjedhur të katërfishojë fondet për një projekt të vetëm të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), duke kaluar nga 250 milionë lekë në mbi 1.2 miliardë lekë brenda pak vitesh. E gjitha në emër të projektit “Ekipet sportive në shkolla”.

Askush nuk është kundër mbështetjes së sportit në arsim, përkundrazi. Por ajo që ngre pikëpyetje serioze është mënyra se si menaxhohet ky financim, transparenca që mungon, edhe pse ky privilegj fokusohet thuajse ekskluzivisht në KOKSH. Ndërkohë që federata të tjera, përfshirë ato më të strukturuarat, me suksese konkrete kombëtare e ndërkombëtare nuk gëzojnë asnjë mbështetje të ngjashme. Dhe për të qenë të qartë, këtu nuk po qajmë hallin e futbollit. Ai me të mirat dhe të metat e veta, ka ndërtuar një sistem që arrin të mbijetojë, të ecë përpara dhe të sjellë rezultate edhe pa ndihmën e shtetit.

Por pikërisht për këtë arsye lind pyetja: çfarë justifikimi ka një favorizim kaq i theksuar i KOKSH-it, në dëm të federatave të tjera që meritojnë të njëjtën vëmendje dhe besim?

Në vend të një politike të barabartë për zhvillimin e sporteve, qeveria po favorizon një projekt të centralizuar dhe të pakontrollueshëm publikisht. Deri më sot nuk është bërë publik asnjë raport i detajuar financiar mbi këtë projekt. Nuk ka një analizë të impaktit, nuk dihet se çfarë objektivash specifike ndjek dhe çfarë trashëgimie do të lërë pas.

Ndërkohë, presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, është bërë “administrator i privilegjuar” i miliona eurove nga buxheti i shtetit, një pjesë e të cilave tashmë është planifikuar të shkojnë edhe për shahun. Ndërkohë që Shqipëria regjistron humbje të rënda si ajo e ekipit kombëtar U20 në basketboll për femra ndaj Serbisë, me 94 pikë diferencë, qeveria vijon të financojë pa kriter projekte që nuk po prodhojnë rezultate të prekshme.

Pse pikërisht KOKSH? A është kjo një strategji për të kanalizuar para publike në mënyrë të pashqyrtueshme? Përse nuk shpallet një thirrje publike ku të gjitha federatat të konkurrojnë me projekte konkrete dhe të matshme? A po krijohet një strukturë paralele sportive e favorizuar politikisht?

Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje. Sepse kur bëhet fjalë për miliona euro nga taksat e shqiptarëve, nuk mjafton më retorika e zhvillimit të sportit. Kërkohet llogaridhënie, transparencë dhe barazi në financim.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga