Sportistja shqiptare dhe avokatja e njohur që jeton në Australi, Eva Buzo guxoi sërish duke marrë përsipër sfidën për të mbërritur me not në bregdetin shqiptar duke u nisur nga ai Italian.
Ajo është nisur nga Lecce në Itali, të shtunën e 17 gushtit dhe ka mbërritur sot në orën 5:00 të mëngjesit në “Shkëmbin e Evës” në Karaburun.
Buzo ka notuar për 35 orë e 17 minuta, gjithsej gjatë 91 kilometrave duke arritur që të kryejë me sukses këtë sfidë të vështirë, po aq sa edhe aventureske.
Burime për Newsbomb.al bëjnë me dije se sportistja është në gjendje të mirë shëndetësore dhe e lumtur për rezultatin e arritur.
Kujtojmë se kjo ishte përpjekja e dytë e spotistes Eva Buzo për të arritur me not nga Italia në Shqipëri.
Vitin e shkuar ajo, u nis nga bregdeti italian për të arritur në Shqipëri, por sfida e saj u ndërpre në mes kur kishte bërë vetëm 70 kilometra nga 91, pasi ajo pësoi një dëmtim si pasojë e një pickimi nga një kandil deti.
Kjo bëri që Eva Buzo të ndërpriste sfidën, duke qenë se nuk ishte në gjendje shëndetësore që ta përballonte kalimin e kanalit të Otrantos për të mbërritur në Karaburun.