Cherman Valiev dhe Islam Dudaev shkruajtën historinë për Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Dy mundësit që përfaqësuan ngjyrat kuqezi në këtë Olimpiadë, ia dolën që të fitonin medalje bronzi, të parat në historinë e vendit tonë.
Ecuria e mundësve:
Të premten, Cherman Valiev fitoi me përmbyse 4-3 ndaj azerit Tura Bayramov në fazën e 1/8-ave. Në çerekfinale, mundësi që përfaqëson Shqipërinë u mposht nga ai uzbekistanez, Jamalov Razambek 6-5.
Por për shkak se ky i fundit shkoi në finale, mundësi Valiev luajti të nesërmen (të shtunën) duke iu dhënë mundësi për medaljen e bronztë. Si fillim, Valiev mposhti bjellorusin, Kadzimahamedau 12-2 dhe më pas fitoi ndaj Viktor Rassadin 6-2 duke i dhënë Shqipërisë medaljen e parë olimpike në historinë e vendit.
Në krahun tjetër, Në kategorinë deri në 65kg, të shtunën, Islam Dudaev e nisi mjaft mirë. Mundësi që përfaqëson Shqipërinë mposhti japonezin që përfaqësonte Ishujt Samoa me rezultatin e pastër 10-0. Me këtë fitore, Dudaev shkoi në çerekfinale, ku u mposht nga iraniani Rahman Amouzad 0-11.
Megjithatë, iraniani shkoi në finale duke i dhënë mundësi mundësit të Shqipërisë që të rigaronte të nesërmen (të dielën). Si fillim Dudaev do të ndeshej me amerikanin, por ky i fundit, Zain Retherford nuk arriti dot në peshën e duhur pasi ishte më shumë se 65kg.
Në këtë mënyrë, Dudaev shkoi menjëherë në finalen e së bronzit. Në finale, mundësi i Shqipërisë ia doli që të triumfonte 13-12 kundër hungarezit, Ismail Musukaev, duke i siguruar vendit tonë medaljen e dytë të bronztë në këto Lojëra Olimpike dhe në histori, pas Valiev.