Legjenda e Formula 1 dhe shtatë herë kampioni i botës, Michael Schumacher, kryeson renditjen e pilotëve më të paguar në historinë e këtij sporti. Sipas “Racing News 365”, pasuria neto e ish-pilotit gjerman arrin vlerën e 670 milionë eurove.
Gjatë një karriere të jashtëzakonshme në Formula 1, Schumacher regjistroi 91 fitore dhe fitoi shtatë tituj kampion bote, duke vendosur standarde që për shumë vite u konsideruan të paarritshme. Emri i tij mbetet një simbol i dominimit dhe suksesit në motorsport.
Pas tërheqjes nga garat, Schumacher pësoi një aksident të rëndë gjatë skijimit në Meribel të Francës në 2013-ën, pas të cilit qëndroi për disa muaj në koma të shkaktuar nga mjekët. Gjendja e tij shëndetësore vazhdon të mbahet rreptësisht konfidenciale nga familja.
Ndërsa në vendin e dytë të listës renditet piloti Lewis Hamilton, gjithashtu shtatë herë kampion bote në Formula 1, me një pasuri neto të vlerësuar mbi 258 milionë euro.
Podiumi plotësohet nga Fernando Alonso, piloti spanjoll që aktualisht garon për Aston Martin, me një pasuri neto mbi 224 milionë euro.
