
Ertjan Kofsha ka shkruar historinë në skenën ndërkombëtare të peshëngritjes, duke thyer rekordin europian në kategorinë deri në 94 kg.
Në Kampionatin Botëror për të Rritur që po mbahet në Forde të Norvegjisë, ai realizoi një ngritje të jashtëzakonshme prej 161 kg në stilin e shkëputjes.
Ky sukses e vendos sportistin shqiptar mes emrave më të mëdhenj të këtij sporti në Evropë. Performanca e tij jo vetëm që vendosi një rekord të ri, por gjithashtu solli krenari të madhe për Shqipërinë.
Postimi i FSHP-së:
Ertjan Kofsha thyen rekordin europian!
Me një ngritje spektakolare prej 161 kg në shkëputje, sportisti ynë i jashtëzakonshëm Ertjan Kofsha ka thyer rekordin europian në kategorinë deri në 94 kilogramë, gjatë Kampionatit Botëror të Peshëngritjes për të Rritur që po zhvillohet në Forde, Norvegji.
Ky rezultat historik tregon talentin, punën dhe përkushtimin e një kampioni të ri që po ngjitet fuqishëm në majat e peshëngritjes botërore.
Krenari për Shqipërinë dhe për brezin e ri të kampionëve kuqezi!