Pas disa ditësh, saktësisht më 4 dhjetor do të mbahen zgjedhjet për president të FSHA-së. Në këtë garë kandidatë fillimisht ishin Taulant Stërmasi, i cili mori drejtimin e FSHA-së rreth dy vite më parë pas tërmetit që tronditi federatën, ku ranë në bllok të gjithë drejtuesit e mëparshëm, të dënuar për manipulim rezultatesh nga Federata Botërore.
Gjithashtu pas përjashtimit të tij, është përjashtuar edhe Luiza Gega si kandidate për këshill drejtues në Federatë, teksa më shumë gjas anë këto zgjedhje do të hyjë i vetëm Izmir Smajlaj. Kjo ka bërë që atletja të shpërthejë ashpër në rrjetet sociala, ndërsa shkruan se zgjedhjet në Federata po manipulohen dhe protagonistët duan fitoren në tavolinë.
“Dua të ndaj diçka si sportiste që lufton të ndërtojë diçka të mirë për veten dhe vendin e saj, diçka që më prek në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga e cila varet e ardhmja e shumë sportistëve që duan të bëjnë diçka të mirë për vendin e tyre. Sporti më ka mësuar shumë gjëra, më ka mësuar të ëndërroj, të punoj fort, të garoj për të dhënë më të mirën, të garoj ndershëm, të respektoj kundërshtarin, të gëzoj fitoren si dhe të pranoj humbjen.
Atë që nuk më mësoi kurrë, ishte se si unë të hesht dhe t’i lë gjërat për të cilat jam përpjekur më shumë, si të hesht kundër padrejtësive, manipulimeve dhe ti le vend pendesës dhe të them që pse të paktën nuk u përpoqa. Prandaj sot dua të përpiqem që atë që dua më shumë mos të ma shkatërrojnë në mënyrën më të ndyrë. Dhe duhet të më besoni që nuk ka asgjë personale, por çdo gjë e kam me fenomenin dhe me këdo që do të vepronte në këtë mënyre.
Ata që u dënuan nga Federata Botërore për manipulim ende vazhdojnë me insistim të njollosin çdo pikë drejtësie me manipulimin e tyre të ndyrë. Më dhemb kjo pjesë sepse kam investuar gjithë jetën time për të bërë diçka të mirë për vendin tim dhe mënyra se si duan ta shkatërrojnë është e frikshme. Unë kam luftuar çdo ditë të jetës time për të qenë këtu ku jam dhe do vazhdoj të luftoj edhe për ato fëmijë dhe të rinj që ua shkatërrojnë ëndrrat ende pa i nisur.
Federata Shqiptare e Atletikës para dy vitesh u dënua për manipulim për 5 vite nga çdo aktivitet sportiv dhe madje të mos i afroheshin edhe stadiumeve. Dënoi ish-presidentin dhe njëkohësisht trajnerin e Izmir Smajlajt, Gjergj Rulin, sekretarin Nikolin Dionisi dhe sportistin Izmir Smajlaj, duke i dënuar për manipulim rezultati të një aktiviteti që u zhvillua në Tiranë, si shumë e shumë rezultate të tjera që ka manipuluar ndër vite.
Sportisti Izmir Smajlaj e fitoi gjyqin me pretendimin që nuk ishte në dijeni për manipulimet që bëheshin, por për fat të keq, ne të gjithë e dinim, sigurisht edhe Izmiri. Kjo është dhe arsyeja pse të gjitha normat olimpike dhe rekordet, unë i kam arritur në pistat më të mëdha botërore, që të mos isha kurrë pjesë e këtyre lojërave të ndyra që bëheshin në aktivitetet kombëtare në Shqipëri.
Për më tepër Federata Botërore e Atletikës dënoi përveç individëve edhe federatën tonë, ku për një kohë të pa caktuar nuk do t’i njihte asnjë rezultat që bëhej në Shqipëri në qoftë se nuk do të plotësonin të gjitha kriteret e një loje të pastër dhe të ndershme. Ka qene një periudhë shumë e vështirë për mua, sepse u bë lajm në të gjitha mediat sportive botërore, ku shumë sportistë, trajnerë qoftë dhe kundërshtare të miat, jo pak herë e shfrytëzonin duke thënë se ‘si ka mundësi që ndodhin këto gjera në vendin tuaj’.
Nuk kam dashur kurrë të flas për këtë gjë sepse nuk do doja kurrsesi të dukej si një sulm ndaj Izmirit edhe pse në fakt këto skandale kurrë nuk duhen lejuar të kalojnë në heshtje. Sportistët derdhin gjak e djersë duke u përpjekur të arrijnë rezultate të larta dhe mënyra se si injorohet kjo është për të ardhur keq.
Duke qenë se federata mbeti në atë gjendje, iu luta trajnerit tim ta merrte përsipër, sepse e dija që vetëm ai mund ta nxirrte nga llumi ku FSHA ishte futur, me pasionin dhe që ka dhe njeriun më të drejtë që njoh. U zhvillua një asamble e jashtëzakonshme, ku edhe pse iu bënë shumë presione klubeve që të mos e votonin, përsëri ai arriti që të fitojë. Aty filloi edhe sfida e madhe, sepse duhej të nxirrte federatën nga dënimi. Kjo gjë kërkonte jashtëzakonisht shumë punë, dhe për këtë u përfshinë trajnerë, sportistë, gjyqtarë për të ndihmuar në proces.
U trajnuan disa persona për fotofinishin, matësin e erës, u mor gjyqtar ndërkombëtarë që njihej nga Federata Botërore për t’u bërë trajnim gjyqtareve tanë si dhe të monitoronte çdo aktivitet kombëtar. Çdo aktivitet dhe rezultat i garave pasqyrohej në ‘çebsite’ zyrtar të federatës gjë që federata më parë nuk e kishte pasur kurrë. Gjithsesi gjatë këtyre më pak se dy viteve u morën vesh shume gjerë se çfarë kishte ndodhur në gjithë këto vite me federatën.
Por gjërat e ndyra nuk marrin fund me kaq, pasi duhet të bëhen zgjedhjet e reja dhe të shpallen kandidaturat për president, ku në garë ishin Izmir Smajlaj dhe Taulant Stërmasi. Deri në këtu nuk ka asgjë të keqe, sepse çdo kush ka të drejtë të kandidojë edhe pse unë kam rezervat e mia, pasi të marrësh përsipër një federatë duhet të dish diçka më tepër se sa thjesht të vraposh apo të kërcesh. Gjithsesi, kjo pak rëndësi ka.
Mbrëmë grupi i punës se ish-federatës së dënuar, sigurisht me në krye ish-presidentin, por thjesht këtij nuk i lejohet që t’i figurojë emri në letër, dërgon ‘email’ që Taulant Stërmasi përjashtohet nga kandidimi sepse e kane propozuar vetëm klubet dhe se kanë vendosur që të njihen vetëm shoqatat, pasi ligji i vitit 2020 pranon vetëm klubet që janë kthyer në shoqata, edhe pse në këtë rast ne kemi shkuar në vitin 2010 për faj të këtyre ish-drejtuesve. Ky grupi në fjalë i punës ka pranuar disa shoqata që nuk kanë qenë kurrë anëtare dhe që s’kanë marrë pjesë kurrë në asnjë aktivitet qe ka zhvilluar federata. Katër shoqata janë shtuar për vota vetëm 2 muajt e fundit.
Për më tepër, gjykata e përcakton se kë anëtar njeh në këto zgjedhje dhe citon të gjitha klubet. Por kjo gjë behet si e si të merret fitorja në tavolinë. Për më tepër jam përjashtuar edhe unë qe isha propozuar nga ish-shkolla ime ‘Mjeshtëria Sportive’, për të qenë anëtare kryesie në federatë, duke qenë se kam kontribuuar kaq shumë.
Ne të gjithë kishim dijeni për shumë gjëra që do të ndodhnin, presionet qe iu bëhen klubeve edhe nga Ombrella më e lartë e sportit, sepse për fat të keq Shqipëria jonë është shumë e vogël dhe çdo gjë dihet si ndodh, kur ndodh dhe nga kush ndodh… Por përsëri ti mendon që do binden dhe do pajtohen me faktin që njerëzit që lodhen, mundohen me drejtësi dhe japin rezultate do vijë dita që do të pranohen. Por jo, këtu vazhdojnë me pafytyrësinë më të madhe të mundohen në të gjitha format që të mos lënë asnjë njeri që e do këtë vend të punojë dhe të bëjë diçka të mirë.
Kurrë në jetën time nuk kam kërkuar asgjë që nuk e meritoj dhe nuk më takon, kurrë asgjë. Ju betohem që kurrë nuk kam cenuar asnjë me atë që bëj, sepse nuk më shijon, nuk ndihem e lumtur dhe nuk do ta bëj kurrë. E dua këtë vend dhe kam luftuar shumë që sado pak të kem kontribut për mirë me atë që bëj, duke qenë e drejtë dhe para se të jem sportiste e mirë, të jem një njeri i mirë. Por nuk mund të lejoj që edhe në sport të ndodhin këto gjera, pasi sporti nuk duhet të lyhet me llum.
Falënderoj të gjithë ato klube që nuk vendosën të dërgojnë t’i përfaqësojnë një shoqatë e ndërtuar siç bënë disa të tjera vetëm që të jenë pjesë e kësaj gjëje të ndryrë, por vendosen të përfaqësojnë veten dhe detyrën që kanë marrë përsipër. E ngre zërin këtë shqetësim sepse nuk dua të na shkatërrohet çdo përpjekje dhe çdo ëndërr për ta bërë këtë vend më të mirë”, ka shkruar Gega.
View this post on Instagram