
Boksieri meksikan Julio César Chávez Jr, djali i legjendës së ringut, është arrestuar në Los Angeles vetëm pak ditë pas humbjes së tij ndaj Jake Paul në Honda Center, Anaheim. Lajmi u bë publik mëngjesin e 3 korrikut, duke tronditur botën e sportit dhe opinionin publik.
Fillimisht, arsyeja e ndalimit mbeti e paqartë, ndërsa raportet jozyrtare përmendnin një çështje të mundshme emigracioni që mund të çonte në deportimin e tij. Gazetarja Andrea Escalona deklaroi në emisionin "Hoy" se Chávez Jr. ishte ndaluar, por ende pa akuza të konfirmuara.
Më pas, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) konfirmoi se ai ishte arrestuar nga ICE më 2 korrik për status të parregullt emigrimi dhe po përballet me një procedurë të përshpejtuar ekstradimi. Situata u rëndua kur autoritetet zbuluan se Chávez Jr. është nën hetim për lidhje të dyshuara me Kartelin e Sinaloas.
Problemet ligjore të tij thellohen nga lidhjet familjare me Joaquín "El Chapo" Guzmán, përmes martesës me Frida Muñoz, ish-partnerja e djalit të "El Chapo-s". Edhe pse përfshirja e tij direkte nuk është konfirmuar, lidhjet me familjen Guzmán dhe çështjet e mëparshme ligjore kanë ngritur dyshime serioze për përfshirje në krim të organizuar.