
Niveli i basketbollit në vendin tonë ka lënë për të dëshiruar dhe këtë e tregojnë edhe rezultatet e Kombëtares në arenën ndërkombëtare. Edhe pse prej vitesh trumbetohet ky fakt, investimet në sportin e koshit janë fare të pakta. Basketbollistët vijojnë ta mbajnë "gjallë" falë pasionit duke huazuar të ardhura nga punët individuale të gjithësecilit. Megjithatë presidenti Avni Ponari vazhdon rrugëtimet e tij të suksesit në aspektin personal.
Jo vetëm biznesmen i rëndësishëm në Shqipëri, por së fundmi kreu i Federatës Shqiptare të Basketbollit është nderuar me titullin më të lartë diplomatik për kontributin e dhënë në krijimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike, midis dy popujve Shqipëri Japoni. Si Konsull i Përgjithshëm i Japonisë në Shqipëri ai ka marrë "Urdhërin e Diellit që Ngrihet, Rrezet e Arta me Fjongon e Qafës" të akorduar nga Perandori i Japonisë.