
Vetëm dy ditë para fillimit të Lojërave Olimpike, babai dhe trajneri njëkohësisht i notarit Sidni Hoxha, Shpëtim Hoxha, ka lëshuar akuza të forta drejt KOKSH-it për bursat olimpike.
"Sidni ka kapur normat olimpike që në Europianin e 2014-s dhe i ka konfirmuar në Botërorin e 2015-s, por KOKSH nuk akordon bursë olimipike dhe nuk jep arsye pse. Atë bursë ja u japin notarëve që kanë rezultate më të dobta se Sidni. Gjithashtu të gjithë sportistët e tjerë që do përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike kanë marrë nga 400 mijë lek shpërblim për përgatitjet, ndërsa Sidni s'ka marrë asgjë. Skandal tjetër është edhe fakti që Sidni udhëton pa trajner për herë të tretë në Olimpiadë. Trajnerët që iu ka vendosur Federata çdo radhë nuk interesohen fare për sportistët", ka thënë babai i notarit.
Sidni Hoxha jeton në SHBA ku edhe stërvitet, por në Lojërat Olimpike ka përfaqësuar Shqipërinë në Pekin 2008, Londër 2012 dhe tashmë në Rio 2016.