Lojtarët shqiptar janë duke bërë "ligjin" në kampionatin kroat, aty ku nga java në javë emrat e tyre shënohen në formacionin më të mirë. Ky nder i takon këtë herë Ardian Ismajlit, që e sheh veten mes më të mirëve të javës së 21 në Kroaci. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit dhe Hajduk Splitit e ka herën e shtatë që përzgjidhet në formacionin ideal, duke bërë kështu një paraqitje të mirë.
Pas tre shqiptarëve të tjerë që "pushtuan" formacionin kroat javën e kaluar, Ardian Ismajli vlerësohet pozitivisht nga "Telesport hr" duke treguar edhe njëherë se kolonia shqiptare në Kroaci po bën një punë për t'u lavdëruar. Kujtojmë se në merkaton e janarit edhe Eros Grezda iu bashkua këtij kampionati, duke shtuar numrin e shqiptarëve në elitën e futbollit në Kroaci.
Media prestigjoze e këtij vendi, në vlerësimin që ka bërë për Ardian Ismajlin thekson se kjo është hera e shtatë që ai zgjidhet mes më të mirëve në 21 javë. "Për të shtatën herë këtë sezon, ai barazoi Dominic Livakovic të Dinamos sa i takon formacionit. 35/46 ndërhyrje të sakta, 11/15 duele të fituara dhe 10 në zonën kundërshtare, si edhe gjashtë topa të fituar", shkruhet në vlerësimin për Ismajlin.
