Valentino Rossi ka një shok fëmijërie, që e ka shoqëruar në çdo moment të karrierës. Uccio Salucci, që faktikisht është kritikuar shumë në fillimet, dhe për këtë ka folur tani. Salucci ka mbetur një figurë kyçe në anën e Rossit, por nuk kanë munguar kritikat toksike për të. Si shok i ngushtë me Rossin, një pjesë e opinionit e konsideronte atë parazit.
“Nëse mendoj për të tani, duhet ta them se isha 19 vjeç dhe ata më të vjetër se unë më bezdisnin. Nuk e prisja mirë. Më bezdiste. Por pastaj, teksa rritesha, 23-24 vjeç pyeta veten nëse po bëja diçka gabim, por iu përgjigja vetes me sinqeritet se po bëja më të mirën për Valen dhe këtë sport. Kështu që e mendova dhe vazhdova të bëj punën time, duke mbajtur çdo gjë për të, duke e ndihmuar me takimet dhe gjithashtu duke i dhënë këshilla”, u shpreh ndër të tjera Salucci.
Salucci ka shijuar një eksperiencë unike duke qëndruar përkrah me shokun e fëmijërisë, që u bë dhe një ikonë botërore sporti. Dhe pas tërheqjes së Rossit, ata kanë mbetur të afërt me njëri tjetrin.