Rudi Vata është një nga emrat e njohur në botën e futbollit në Shqipëri. Ish-mbrojtësi i Kombëtares, tanimë punon si këshilltar në Belgjikë, aty ku prej pak kohësh është pjesë e Mouscron. Një situatë vërtet e çuditshme ka ndodhur me shkodranin, që i është dashur të drejtojë ekipin në fushë si trajner. Për arsye shëndetësore, dyshja e trajnerëve të ekipit elitar belg mungonte në sfidën e djeshme kundër Gent dhe drejtuesit i kanë besuar pankinën “këshilltarit”.
Për mediat belge, Vata është shprehur i emocionuar duke treguar se nuk kishte vënë gjum në sy. “Nuk erdha këtu për të qenë trajner. Këtë javë nuk kam fjetur fare, sepse kam menduar vetëm se çfarë duhet të bëj me lojtarët. Nuk ka qenë aspak e thjeshtë. Por, ata janë të gjithë profesionistë, është në dorën e tyre për të bërë detyrën në fushë. Ndaj Gentit do të jemi një skuadër e organizuar.
Kemi punuar gjatë gjithë javës. Duhet të jemi të fortë. Ekipi më ka lënë përshtypje shumë të mirë. Jam mësuar me situatat e vështira, por unë problemeve u kushtoj vetëm 5% të kohës, pasi 95% ia kushtoj gjetjes së zgjidhjeve”. Ekipi i Mouscron u mposht 3-1 në transfertë, duke u pozicionuar i dhjeti me 27 pikë.