
Talenti i Shpresave të Kombëtares, Xhakomo Vrioni ka shënuar pak ditë më parë ndaj 21-vjeçarëve të Italisë. Kaq ësht dashur dhe lojtari Venezias në Serie B në Itali, kartonin e të cilit e zotëron Samdporia është kthyer në një ndër personazhet kryesorë në mediat përtej Adriatikut.
Vrioni ka folur për emocionet që ka përjetuar në këtë përballje, duke treguar për gëzimin që ka përjetuar nëna dhe babai i tij.
"Ia dedikoj golin babait tim, Arbenit, i cili ka qarë nga gëzimi në momentin që shënova. Ai dhe mamaja ime janë shqiptarë dhe për mua të vishja fanelën e shtetit ku ata kanë lindur ishte një kënaqësi e papërshkrueshme. Grumbullimi me Kombëtaren shqiptare të 21-vjeçarëve nuk ishte një surprizë për mua, edhe vitin e kaluar kam pasur shumë kontakte me ta, por vendosa të pres. Kam dy pasaporta shqiptare dhe italiane dhe më herët kisha arritur të gjeja rrugën e rrjetës edhe me përfaqësueset e moshave U-17 dhe U-19 të Italisë. Të debutoja në të tillë mënyrë me gol ndaj Italisë ishte si një ëndërr për mua. Jam vërtetë shumë i lumtur tashmë shpresoj të shënoj në ndeshjen e radhës ndaj Beneventos pasi dua t'u dhuroj kënaqësi edhe tifozëve të Venezias", u shpreh talenti kuqezi për mediat italiane.