
Jonuz Hallaci, shefi i klubit të Kukësit, përpara fillimit të takimit, ka folur për mikrofonin e Supersport.
Hallaçi ngre mbi piedestal Kukësin dhe karikon tifozët me fjalët e tij. Ai thotë se Kukësi është ekip europian dhe ky është viti i tyre. Kuksianët duhet të ndihen krenarë për këtë skuadër edhe për këtë qytet.
"Nëse ka një ekip që ka patur një ecuri duke ngritur dhe flamurin në europë, ai ka qenë Kukësi. Në lidhje me takimin e sotëm kundër Partizanit, duhet thënë se ështe ekip i madh por sot fiton Kukësi dhe ky është viti i Kukësit.
Shpresojmë që stadiumi të jetë plot sot pasi presidenti Gjici është duke e mbajtuar gjallë këtë stadium dhe sot ai ka hapur dyert për të gjithë që të mos e humbin këtë sfidë. Ata të rinj kuksianë që janë larguar drejt kryeqytetit, në fillim ndiheshin si të "përbuzur", sot janë krenarë të thonë që jemi nga Kukësi dhe që kanë këtë ekip.
Klubi u ka bërë edhe një dhuratë tifozëve që të ndihen sa më mirë teksa bëjnë tifo për skuadrën e tyre. Tashmë në pjesën ku qëndrojnë ultrasit , kemi vendosur edhe 3 banera të rinj për tifozët", ka përfunduar shefi i klubit.