
Pas humbjes katastrofale të Liverpool kundër Real Madrid 2-5, në ishullin britanik ka patur shumë kritika ndaj skuadrës së Klopp. Një kritikë shumë e fortë ka ardhur nga ish kapiteni i Irlandës, Richar Dunne.
Sipas irlandezit, problem shumë madhor në këtë dështim të “The Reds” është Virgil Van Dijk. Mbrojtësi hollandez sapo është kthyer nga një dëmtim dhe me Realin ishte ndeshja e dytë që startonte pas dëmtimit. Ai nuk e ka kapur akoma formën e tij, megjithëse kohët e fundit ai nuk ka qenë në nivelin e tij më të mirë.
“Problemi është Van Dijk”, shprehet Dunne. “Ata duhet ta ndërtojnë më shumë mbrojtjen rreth Konate sesa Van Dijk. Nuk e mendoj se ai e ka marrë veten nga dëmtimi. Kur lojtarët i afrohen atij, ai nuk i ndërhyn atyre. Ai duket sikur heq dorë duke thënë “ta bëjë dikush tjetër më mirë”, ai nuk ndërhyn më askujt. Duket që është pasiv gjatë gjithë lojës”, ka përfunduar Richard Dunne.