
Franz Beckenbauer ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare ditën e djeshme, ndërsa u konfirmua nga familja e të ndjerit sot. Pothuajse të gjithë personalitetet e futbollit kanë reaguar për këtë lajm të trishtë.
Ndër to dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, që kujton arritjet e tij dhe e falenderon për trashëgiminë e lënë në futboll.
Postimi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka:
“Bota e futbollit, Gjermania dhe tifozët humbën sot një prej simboleve të kësaj loje të mrekullueshme. Shkëlqimi i futbollit gjerman dhe ylli botëror Franz Beckenbauer u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të madhe. Ai u shndërrua në legjendë. Fitoi titujt kampion i Europës dhe i Botës si futbollist, ndërkohë që fitoi Botërorin edhe si trajner në vitin 1990. Në nivel klubesh fitoi gjithçka me Bajernin e Mynihut si edhe dy “Topa të Artë”, diçka e rrallë për një mbrojtës. Beckenbauer mbetet në kujtesë si një nga lojtarët më elegantë dhe më të papërsëritshëm në historinë e futbollit. Figurë emblematike, jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për Europën, që gëzonte një popullaritet të jashtëzakonshëm, i pagëzuar me nofkën “Der Kaiser”. Lamtumirë “Perandor”, faleminderit për gjithçka i ke dhënë futbollit!
Lexo edhe: Shuhet legjenda e Gjermanisë dhe ikona e Kupës së Botës
Lexo edhe: Beckenbauer, trashëgimia e Kaiserit të futbollit