
Superliga shqiptare e futbollit dhe Kategoria e Parë janë në prag të nisjes. Me FSHF që ka bërë me dije datat e nisjes së sezonit dhe kalendarin, klubet janë në fazën përgatitore.
Shumë klube të Superligës kanë zgjedhur Pogradecin si destinacion për fazën përgatitore. Së fundmi edhe Partizani është zhvendosur buzë liqenit, ndërsa edhe Bylis do ndjekë një rrugë të tillë.
Dinamo e Kategorisë së Parë gjithashtu po stërvitet në Pogradec, ndërsa Teuta në Korçë. Më herët Laçi u stërvit për Kupat e Evropës në Pogradec, ndërsa më parë një gjë të tillë e ka bërë edhe Tirana.
Veç klimës së freskët dhe akomodimit, stadiumi i qytetit të jep mundësinë edhe për teste miqësore. Në ditët që vijnë skuadrat që ndodhen në juglindje për përgatitjet para sezonale kanë caktuar edhe miqësoret mes tyre.
Kujtojmë se Superliga për sezonin e ri nis në 20 gusht, ndërsa Kategoria e Parë në 3 shtator.