Klubi i Erzenit ka bërë një deklaratë në orët e para të mëngjesit të sotëm ku sqaron opinionin publik në lidhje me zhvillimet e fundit pas emërimit të trajnerit Xhevahir Kapllani.
Bëhet me dije se po punohet intensivisht për të afruar në skuadër lojtarë cilësorë që do t’i shërbejnë ekipit në arritjen e objektivave. Përmes një reagimi në kanalin zyrtar, shijakasit vënë theksin se futbollistët në provë, për të cilët do të merret një vendim nga stafi teknik. Në deklaratën për mediet thuhej:
“Të nderuar sportdashës dhe tifozë të ekipit Erzeni, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik mbi disa zhvillime të rëndësishme që lidhen me jetën sportive në qytetin e Shijakut.
K.F Erzeni po kalon një proçes pregatitje dhe riorganizimi në kuadër të pjesmarrjes në kategorinë superiore.
Për të arritur objektivat që kemi vendosur për sezonin futbollistik 2022-2023, është e rëndësishme të sjellim në gjirin e ekipit tonë sportistë cilësorë që i përgjigjen kërkesave dhe standarteve të stafit teknik të skuadrës. Kemi ndjekur me vëmëndje lajmet në mediat sociale mbi lëvizjet e lojtarëve tek Erzeni, për këtë duam të sqarojmë tifozerinë por dhe kuriozët apo skeptikët se po bëhet një punë voluminoze për të sjellë më të mirën në ekip.
Janë ftuar nga stafi teknik lojtarë për t’u vënë në provë nëse do të jenë të përshtatshëm për kërkesat që ka klubi dhe nëse i përmbushin parametrat sportiv të kërkuar nga stafi teknik.
Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar afatet se kur do të dorëzohet lista emërore e lojtarëve për federim, brënda këtij afati stafi teknik ka të gjithë mbështetjen e Klubit për negociuar, studiuar, apo përzgjedhur lojtarët që mendohet se do të jenë të përshtatshëm për objektivat që synohet të arrihet.
Dëshirojmë tju informojmë se komunikimi zyrtar në rrjetet sociale i K.F ERZENI bëhet nëpëmjet kësaj faqe, çdo largim apo çdo lojtar që nënshkruan me K.F ERZENI do të njoftohet këtu. Çdo faqe tjetër në FB apo në instagram, nuk përfaqëson zyrtarisht K.F ERZENI.
Me konsideratë
K.F ERZENI”