
I ftuar në emisionin "Zona Gol" në "Supersport", mbrëmë ka qenë presidenti i klubit të Skënderbeut, Ardian Takaj, që ka zbuluar arsyen e largimit të teknikut italian, Andrea Agostineli dhe afrimin e Ilir Dajës te Skënderbeu.
Lidhur me largimin e Agostinelit, presidenti Takaj ka thënë: "Mund ta shkarkoja edhe më parë, por i dhashë kohën e duhur, duke besuar se do të reagonte. Gjërat nuk shkuan ashtu siç ne menduam dhe më pas bëmë ndryshim. Agostineli nuk ishte dështim, por nuk arritëm objektivat që i kishim vënë vetes në fillim të kampionatit".
Presidenti Takaj ka folur dhe për emërimin e trajnerit të ri, Ilir Daja, duke thënë, se: "Së pari duhet të falënderoj punën që ka bërë trajneri Agostineli. Mendoj se Skënderbeu nuk ishte ekipi i duhur për mënyrën e lojës që praktikonte trajneri italian. Tashmë, me ardhjen e Dajës shoh ndryshime më lojë. Lojtarët po përshtaten shumë shpejt me idetë e trajnerit të ri, duke asimiluar më mirë taktikën që ai përdor", ka thënë presidenti Takaj në emisionin "Zona Gol" në "Supersport".