
Skënder Gega, trajneri i Partizanit, ka folur për "RTSH-Sport", mbi ekipin e tij dhe ato që kanë ndodhur në këto dy faza të para. Deri tani tekniku, ka qenë shumë i kënaqur, po ka vetëm një peng, që janë ato ndeshjet e humbura kundër Skënderbeut. Gjithashtu ai nuk ka lënë pa përmendur dhe tifozët e Partizanit të cilët janë unik sipas tij.
Gega ka thënë: "Partizani është një vend ku unë e kam filluar karrierën, është një dëshirë e madhe që po punoj këtu. Kur bën diçka që ti e do, është e thjeshtë. Të drejtosh një skuadër si Partizani është një përgjegjësi e madhe.
Çdonjëri nga ne duhet të rritet dhe të përmirësohet. Jam i kënaqur me pikat e forta që kemi dhe së bashku le të shpresojmë te suksesi. Secili ka specifikën e vet dhe të gjitha ekipet janë rivalët e Partizanit për titull.
Një kampionat me katër faza është shumë i vështirë. Ndeshjet kundër Skënderbeut janë për të ardhur keq, sidomos në ndeshjen e parë, ku humbëm në sekondat e fundit.
Duhet të qëndrojmë së bashku dhe për fatin tonë të mirë, kemi mbështetjen e presidentit. Por kemi dhe diçka tjetër, që të tjerët nuk e kanë: Tifozët e mrekullueshëm!"