
Java e dytë e kampionatit italian ka përfunduar në mënyrën më të çmendur. Në Romë nuk ka fitues midis verdhekuqve dhe Atalantas. Një takim që ka patur përmasa dramatike nga fillimi deri në fund. Vendasit kaluan në avantazh me blerjen e re Javier Pastore në minutën e dytë të takimit. Por miqtë nuk u dorëzuan dhe shënuan radhazi në minutën e19, 22 dhe 38 me Castagnen dhe Rigonin. Pjesa e parë përfundoi me avantazhin e Atalantas që mendoi se kishte hipotekuar 3 pikët. Por në pjesën e dytë "ujkonjat" morën zemër dhe u kundërpërgjigjën me Florenzi dhe Manolas në minutën e 60 dhe 82.
Në fund nuk pati më surpriza teksa skuadrat largohen nga "Olimpico" me zhgënjmin për të marrë 3 pikët. Në këtë takim qendërmbrojtësi i kombëtares sonë Xhimshiti luajti si titullar. Ai u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 81. Ndërsa gardiani kuqezi Berisha ka pranuar urdhërat e trajnerit Gasperini për të frekuentuar stolin.