
Trajneri i Kombëtares shqiptare Edy Reja në një intervistë për mediat italiane është shprehur se ka pasur gjithmonë dëshirë të drejtojë një Kombëtare. Në fjalën e tij tekniku italian zbuloi se objektivi dhe ëndrra e madhe mbetet kualifikimi në botërorin e 2022 me Shqipërinë. Gjithashtu Reja foli edhe për skuadrën e tij të zemrës, Udinezen duke i rekomanduar që të marrin në ekip, sulmuesin shqiptar Rey Manaj.
Firma me Shqipërinë? “E kam pasur gjithmonë ambicien për të drejtuar një kombëtare. Nuk u mendova dy herë kur erdhi propozimi për t’u bërë trajner i Shqipërisë. Po bëjmë një punë shumë të rëndësishme bashku me federatën, sidomos sa u takon rritjes së lojtarëve të rinj. Në Shqipëri është investuar shumë në infrastrukturë në vitet e fundit. Kemi fatin të luajmë në një stadium të jashtëzakonshëm dhe të stërvitemi në një qendër stërvitore moderne”.
Objektivi? “Ka mjaft lojtarë interesantë, lënda e parë është vërtetë e mirë. Bëhet fjalë për djem që luajnë në kampionatet më të rëndësishme europiane: në Gjermani dhe Itali. Ka një entuziazëm të madh, projekti është i rëndësishëm. Po i presim me entuziasëm eliminatoret e Botërorit 2022. Kualifikimi do të ishte një ëndërr”.
Udineze? “I kam rekomanduar Pierpaolo Marinos, mikut tim të dashur, të marrë Rei Manajn. Nuk ishte akoma gati kur ishte pjesë e Interit, kalimi tek Albasete e ka pjekur. Ka shënuar gola dhe ka zhvilluar ndeshje shumë të mira. Ia doli të bindë Barcelonën. Rei do të bënte shumë mire te një skuadër si Udineze”.