Kur mendojmë për futbollin, imagjinata na çon te Ronaldo, Messi, Ronaldinho e Zidane, pasi ishin ata që bënë miliona fëmijë të ëndërrojnë për lojën e bukur.
Futbolli është i bukur kur luhet në stadiumet madhështore të "Santiago Bernabeu-t", "Camp Nou" apo "San Siro", pasi fusha e blertë shkelet nga yjet që e çojnë futbollin në një tjetër dimension.
Por futbolli është akoma edhe më i bukur kur luhet në fushat me gurë, aty ku krijohen dhe rriten talentet e së ardhmes. Futbolli është magjik në qytetet e vogla, aty ku idhujt janë më të prekshëm e më njerëzorë, në qytetet ku me zor pret të vijë fundjava që të shkosh në stadium dhe të brohorasësh për lojtarët që të përfaqësojnë.
Në këto fusha janë krijuar edhe idhujt e vërtetë, ata që jashtë fushës janë si ti, njerëz të thjeshtë dhe me një jetë normale. Legjenda e komentit sportiv Ahmet Shqarri kur "shëtiste" "Nga një Qytet në Tjetrin" ka njohur mijëra futbollistë e komentatorë sportivë, legjenda si Panajot Pano, Perlat Musta....
Mes tyre është edhe Agim Meta, ish-sulmuesi i Naftëtarit, për të cilin brezi i ri nuk ka dëgjuar shumë, por nëse do të pyesësh kuçovarët e vjetër, e kujtojnë me nostalgji. Sulmues teknik dhe plot intuitë para portës kundërshtare, i gatshëm për të ndëshkuar sapo t'i krijohej mundësia më e vogël. Në një dedikim të veçantë për Agim Metën, komentatori Ahmet Shqarri e cilëson si një "gjahtar goli", i aftë për t'u shënuar edhe legjendave të portës si Perlat Musta.
Po po, Perlat Mustës, legjendës së kombëtares shqiptare.Ishte 27 nëntori i vitit 1983, kur Patizani favorit priste në mitikun "Qemal Stafa" Naftëtarin, në një ndeshje që mendohej se nuk do të kishte shumë për të diskutuar. Por dikush tjetër mendonte të kundërtën, pasi kishte ardhur në Tiranë me synimin për të "heshtur" kryeqytetin. Ai ishte Agim Meta, heroi i Kuçovës që me dygolëshin e tij bëri që futbolli në Shqipëri të paktën për 1 javë të fliste për atë dhe Naftëtarin e tij. Kuçovarët fitojnë 0-3 në një ndeshje që tifozët e mbajnë mend edhe sot e kësaj dite.
Hapat e parë drejt futbollit i hodhi shumë i vogël, duke u stërvitur me paratërinjtë e më pas me të rinjtë, për t'u bërë në vitin 1979 pjesë e ekipit të parë të Naftëtarit. Por sistemi ishte i tillë dhe Agim Meta në vitin 1980 u detyrua të shkonte në Patos, për arsye punësimi. Aty shkëlqeu me 27 gola gjatë një sezoni, ndërsa një vit më vonë u kthye sërish në shtëpinë e tij, Kuçovë. Për 14 vite mbajti veshur fanellën e Naftëtarit, duke kontribuuar për ekipin dhe duke u bërë një nga të preferuarit e tifozërisë, të cilët i vendosën edhe nofkën "Bulldozer", për shkak të fizikut të tij dhe dinamikës së lojës që zhvillonte.
Në vitin 1985 do të linte Kuçovën për t'u transferuar në Ballsh, ku me 18 golat e tij arriti ta ngjiste skuadrën e Bylisit në Kategorinë Superiore. Luan edhe 2 sezone të tjera në Superiore dhe më pas i jep lamtumirën futbollit të luajtur, pas një karriere gati 20 vjeçare. Në ceremoninë e lamtumirës nga futbolli, skuadra e Partizanit i dhuroi si simbol respekti një "Kupë Karriere". Me kombëtaren B u grumbullua vetëm një herë në miqësoren me skuadrën rumune Otelul Galaci, por i mjaftoi që të shënonte 2 gola. Por Agim Meta nuk e la me aq, pasi pasioni i tij për futbollin nuk mun dtë shuhet. Vazhdoi të stërvisë djem të rinj në qytetin e Ballshit, disa prej të cilëve kanë luajtur dhe luajnë në Kategorinë Superiore. Gjithashtu për disa kohë punoi në rolin e komentatorit sportiv për ndeshjet që zhvillonte Bylis, i ftuar nga vetë legjenda Ahmet Shqarri.
Dedikimi i veçantë i Ahmet Shqarrit për Agim Metën:
Agim, po të shkruaj pak fjalë për ty që mendoj se më dalin nga zemra. Agim Metën e kam njohur në vitet kur të dy, si ai edhe unë ishim bërë dikushi në publikun sportiv, Agimi si futbollist dhe unë si gazetar. Me kalimin e viteve Agim Meta përshkoi një karrierë të pasur me Naftëtarin simpatik dhe Bylisin po ashtu, duke qenë ai vazhdimisht ndër protagonistët e këtyre ekipeve, si një sulmues teknik dhe plot intuitë para portave kundërshtare. Agim Meta do të kujtohet nga bashkëohësit e tij si një "gjahtar golash" që ka ditur të mposhtë edhe portierë të famshëm si Perlat Musta i Partizanit, kur i shënonte pikërisht në stadiumin mitik "Qemal Stafa". Biografia e tij sportive u pasurua më vonë kur unë nga simpatia që pata krijuar për të si futbollist, i ofrova të merrte rolin e radiokronistit, për të komentuar lojrat qe zhvillonte "Bylis" ne qytetin e Ballshit. Për mua, ky bashkëpunim që zgjati disa vite ka qenë nga më të mirët mes asaj "ushtrie" radiokronistësh qe i jepnin jetë emisionit më të dëgjuar në Shqipëri: "Nga njëra ndeshje në tjetrën". I qetë dhe i saktë në atë që percillte për dëgjuesit e Radio-Tiranës dhe në komentet që botonte në gazetat sportive. Agim Meta u formua dhe shkelqeu si futbollist tek skuadra e "Naftetarit", gjithashtu la gjurmë të pashlyera dhe vulosi karrierën e tij sportive tek Bylisi.
