Agim Zeka arriti që të shënojë tre gola në dy ndeshje me kombëtaren U-19, teksa është hera e parë e tij që vesh fanellën kuqezi. Në këtë periudhë lojtarët kosovarë po mundohen që të bëjnë zgjedhjen e duhur mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Zeka duket se ka preferuar të luajë me Shqipërinë, gjë që e ka bërë më së miri në tre takimet që është aktivizuar në sfidat që u luajtën në grup pak ditë më parë. Por, lojtari tashmë sqaron situatën e kalimit të tij nga Kosova në Shqipëri dhe arsyet pse zgjodhi të përfaqësojë fanellën kombëtare dhe jo atë të Kosovës.
Megjithatë, kjo situatë nuk është pritur aspak mirë në Kosovë, ku publiku dhe mediat kanë zgjedhur të sulmojnë rastin në fjalë, pasi nuk ka preferuar të veshë fanellën e përfaqësueses së tyre.
“Më herët kam luajtur për kombëtaren U17, ndërsa me kombëtaren U19 janë ndeshjet e para. Jam grumbulluar vetëm një herë më parë, por jo në ndeshje zyrtare, ndërsa më kanë parë edhe në Itali në turne. Po, natyrisht që nëse vjen ai moment dhe do të jem mjaftueshëm cilësor për të luajtur në kombëtare, dilema do të jetë, është normale. Natyrisht, më shumë jam për Shqipërinë, pasi më ka rritur, më ka dhënë dorën, duke luajtur që te skuadra U17. Ne jemi të gjithë shqiptarë, secili ka vendimin e vet dhe ka të drejtë të luajë ku ta ndjejë veten më mirë, por polemika nuk ka pse të bëhen”, rrëfen mesfushori për “Sport Ekspres”.