
Partizani do të luajë sot kundër Bylis, ndeshje e vlefshme si miqësore. Kjo sfidë është programuar të zhvillohet në orën 17:00 në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit. Të gjithë ata tifozë që nuk do të mund të jenë të pranishëm, tashmë kanë një zgjidhje për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës.
RTSH Sport do të transmetojë drejtëpërdrejt këtë miqësore dhe do të mund të shihet pa pagesë nga gjithë sportdashësit. Dy javë para fillimit të Superiores, si të kuqtë, ashtu edhe mallakastriotët do të mund të shohin gjendjen e lojtarëve që janë në dispozicion për organikat përkatëse.
Kujtojmë që Partizani ka bërë ndryshime të shumta në këtë merkato, sikurse edhe Bylis që ende pret të përforcohet me elementë cilësorë për të arritur objektivat sezonalë.