
Inter pret nesër në 21:00 Realin e Madridit. Sfida vlen për grupet e Ligës së Kampioneve, teksa para ndeshjes ka folur trajneri zikaltër, Simone Inzaghi. Numri një i stolit zikaltër ka treguar se Inter nuk ka frikë paçka se grupi është i vështirë, duke treguar respektin për Galaktikët dhe Ancelottin. Veç Real, Inter në këtë grup do përballet edhe me Shakhtar dhe Sheriff Tiraspol.
"Respekt për Real Madrid, por pa frikë. Ajo që ka shkuar ka shkuar, përfshirë edhe sfidën e dyfishtë sezonin e kaluar përballë Realit. Ne kemi një mundësi të shkëlqyeshme për të shkruar një faqe të rëndësishme për të tashmen tonë. Nuk do jetë një grup i lehtë, por në duam të kalojmë tutje.
Përvoja në ndeshje të tilla është shumë e rëndësishme. Ne e dimë që nga dita e shortit se grupi nuk do të jetë i lehtë sepse, përveç Realit, do të jenë edhe dy skuadra që do të bëjnë gjithçka për të na vënë në vështirësi. Kemi edhe dy seanca stërvitore për t'u përgatitur për çdo të papritur, kundër një ekipi me tradita të mëdha dhe me një trajner të madh", tha Inzaghi.