
Mbrojtësi i Skënderbeut, Leard Sadriu ka folur në prag të ndeshjes me Laçin. 20 vjeçari ka treguar vendosmëri, teksa nuk e diskuton mbijetesën. Korçarët luajnë nesër në shtëpi me bardhezinjtë, duke nisur nga ora 16:45 për javën e 16 të Superligës.
Sfida vendos Josën përballë ish-ekipit, aty ku te korçarët drejton Memelli. Dy mungesat e Berishës dhe Vitijas prishin planet e korçarëve, që kanë afruar në merkato Frashërin për mbrojtjen.
"Besoj se jemi të gatshëm si unë edhe i gjithë ekipi. Kemi punuar intensivisht ditët e fundit në stërvitje dhe besoj se i gjithë ekipi që do të jemi në dispozicion do të jemi të gatshëm.
Mungesat - Nuk mund të themi se ka shumë mungesa, por janë dy lojtarë kyç të formacionit që do të mungojnë këtë ndeshje. Megjithatë, edhe ata që do të inkuadrohen në vend të tyre do të bëjnë një punë mjaft të mirë dhe nuk do të vihen re mungesat në fushë.
Merkato - Ka pas disa ardhje, nuk ka qenë shumë aktive, por mendoj se jemi një grup i shëndoshë, një grup mjaft i mirë. Jemi të vjetër, kemi rreth një vit që jemi bashkë. Njihemi me njëri tjetrin dhe besoj se atë punë e di vetë trajneri.
Laçi - Çdo ndeshje është njësoj pasi na duhen pikët. Duke marrë parasysh edhe ecurinë e laçit që ka pesë fitore, nuk na frikëson aspak, por na motivon që të marrim maksimumin në këtë ndeshje.
Renditja dhe mbijetesa - Mendoj se ne si ekip nuk duhet ta diskutojmë mbijetesën pasi edhe këtë gjysmë sezoni kemi treguar se kemi bërë një lojë mjaft të mirë. Kemi pasur një mungesë të fatit. Diferencat me pikë në pesë vendet e fundit është shumë e vogël dhe me një fitore mund të shkëputesh. Shpresoj ta bëjmë këtë shkëputje që në ndeshjet e para dhe të ikim nga zona e ftohtë", tha Leart Sadriu.