
Kur përmendin skuadrën e Mallorcas të gjjitëve iu kujtohet Vedat Muriqi. Sulmuesi dardan është kthyer menjëherë në një idhull në Spanjë, pasi ka arritur të shënojë 12 gola e ka dhuruar 2 asiste në këtë sezon në La Liga.
Ish-lojtari i Lazios ka fituar edhe dashurinë e tifozëve dhe çdo sportdashëri të Mallorcas. I tillë është edhe gazetari spanjoll, Alvar Moreno, i cili thekson se padiskutim Muriqi është një lider.
“Muriqi është lojtari perfekt për një ekip si Mallorca. Ai është në gjendje të shënojë duke prekur topin vetëm një herë. Ai është ylli dhe lideri i ekipit, nuk ka dyshim për këtë. Ai ka impresionuar të gjithë fansat duke treguar se çfarë është në gjendje të bëjë në një periudhë kaq të shkurtër kohore.
Ai është lider. Muriqi kishte një jetë të vështirë në Kosovë dhe këtë e shihni në sjelljen e tij. Ai është gjithmonë i sjellshëm me fansat dhe gazetarët. Ai është në fakt një djalë shumë qesharak që i pëlqen të tregojë anën e tij njerëzore. Kjo është një pjesë e madhe e personalitetit të tij. Dhe mendoj se kjo e ndihmon atë të jetë një futbollist më i mirë dhe të performojë shkëlqyeshëm kur luan.
Ai do të ketë shanse të largohet nga Mallorca për një klub më të madh, jam i sigurt për këtë. Të shënosh gola në La Liga nuk është një gjë e lehtë. Por unë mendoj se pas asaj që ka kaluar, veçanërisht asaj që i ndodhi me Lazio, mendoj se ai do të përpiqet të qëndrojë në Mallorca për një kohë të gjatë. Ai është gjithashtu një njeri familjar dhe e di që ka gjetur një projekt futbolli që i përshtatet. Ai është ylli i skuadrës. Mendoj se do të jetë e mrekullueshme për karrierën e tij të qëndrojë në Mallorca. Ai madje tha se dëshiron të fitojë Copa del Rey në ishull! Kjo është një shenjë e mirë”, ka deklaruar gazetari i “Tribuna Sol”, Alvar Moreno.