
Shqipëria U-17 luajti sot ndaj Rumanisë ndeshjen e tretë dhe të fundit të turneut “Syrenka Cup”. Në ndeshjen e zhvilluar në Poloni, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Fatjon Tafaj u mposhtën me rezultatin 0-3.
Trajneri Tafaj hodhi në fushë këtë formacion: Lleshi (Gk), Varesis, Pierro, Gashi (c), Qosja, Marku, Luka, Lulaj, Spahiu, Malko, Ymeri.
Fraksioni i parë u mbyll me rezultatin 0-1 për Rumaninë, të cilët realizuan golin e avantazhit në minutën e 23-të me Marincean.
Në pjesën e dytë, trajneri Tafaj bëri disa zëvendësime, duke hedhur në fushë Uldedajn, Himallarin, Malin, Vatën dhe Kurtulaj dhe Ballën. Kuqezinjtë pësuan golin e dytë në minutën e 48-të dhe pavarësisht rasteve që krijuan, nuk arritën të shkurtonin rezultatin e ndeshjes. Andrei Niculcea shënoi edhe golin e tretë për përfaqësuesen rumune në minutën e 83-të.
Ky takim u mbyll me shifrat 0-3 për Rumaninë. Djemtë e drejtuar nga trajneri Fatjon Tafaj barazuan 1-1 ndeshjen e parë me Poloninë, ndërsa triumfuan 0-1 në përballjen me Norvegjinë.
Kjo ishte hera e parë që Shqipëria U-17 merrte pjesë në turneun “Syrenka Cup”.
“Syrenka Cup” është një turne i përvitshëm ku marrin pjesë ekipe kombëtare U-17 nga Europa.
Për kuqezinjtë, ky turne shërben si fazë përgatitore në prag të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Europian për këtë grupmoshë, “Estoni 2026”.