
Finalja e Kupës së Shqipërisë për 19-vjeçarët mes Tiranës dhe Teutës ka degjeneruar në dhunë. Durrsakët ia dolën që të triumfonin me shifrat 1-2 në duelin e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”, por bardheblutë nuk u përmbajtën. Këta të fundit, në përfundim të ndeshjes “mësynë” në fushën e blertë dhe aty filloi sherri masiv. Nga të dyja kampet shpërthyen grushtet dhe shqelmat, duke krijuar një rrëmujë të madhe, ku u përfshinë lojtarët, stafi dhe tifozët.
Në përfundim të këtij dueli “Newsport.al” ka kontaktuar trajnerin e Teutës, Xhevair Kapllani, i cili ka treguar versionin e tij të ngjarjes. Kapllani thotë se gjithçka nisi nga lojtarët bardheblu, të cilët sipas tij nuk e pranuan dot humbjen. Gjithashtu, “timonieri” i durrsakëve e sheh të shëmtuar përfshirjen e prindërve dhe tifozëve në skenën e dhunës.
“Me rënien e bilbilit final, lojtarët tanë festuan si çdo skuadër që fiton një trofe. Fatkeqësisht, duket se lojtarët e Tiranës nuk e kanë përballuar dot humbjen dhe rënien nga kategoria, dhe situata degradoi në konflikt, me fyerje dhe përplasje fizike ndaj lojtarëve tanë.
Por ajo që ishte më e shëmtuar dhe krejtësisht e papranueshme, ishte kapërcimi i barrierave nga ana e disa prindërve dhe tifozëve të Tiranës, të cilët vërshuan në fushë për të sulmuar fizikisht futbollistët tanë. Kjo e njollosi rëndë këtë finale, që po zhvillohej në kushte të mrekullueshme, në mes të Tiranës, dhe që duhej të ishte një festë për sportin.
Dua të përgëzoj djemtë tanë për një fitore të merituar dhe të dënoj ashpër dhunën dhe degjenerimin që ndodhi në fund të takimit. Në futboll dikush fiton dhe dikush humbet. Kjo është natyra e lojës, por kurrsesi nuk duhet të degradojë në dhunë”, u shprej trajneri i durrsakëve, Xhevair Kapllani. /Nikoll RAJTA/