Një ngjarje e rëndë ka tronditura mbarë opinionin publik ditën e sotme, ku një sherr mes disa adoleshentëve ka përfunduar në tragjedi me vdekjen e Martin Canit 14 vjeç dhe plagosjen e një tjetri, Luis Meçja.
Cani dhe Meçja ishin jo thjeshtë shokë shkolle, por edhe shokë skuadre, pasi të dy ishin pjesë e Dinamo U15.
Gazetarai Endi Tufa ka ndarë një foto nga spitali i Traumës, ku ndodhet Luis Meçja, që është i mbushur me trajner, futbollistë dhe njerëz të sportit që ndodhen aty për t’i dhënë forcë familjarëve të 14-vjeçarit.
Meçja dje do të shënonte dy gola në ndeshjen me Besën e Kavajës, ku do të bënte krenarë prindërit, shokët dhe trajnerin, ndërsa sot ndodhet në spital me plagë thike, teksa ka humbur edhe shokun e tij, Martin Canin.
“Kaq shumë trajner, futbollist dhe njerëz të sporti në urgjencën e spitalit të Traumës, për të mësuar se si njëri nga djemtë e ngjarjes makabre, pranë një nga shkollave 9-vjeçare më të lakmuara të kryeqytetit si "Fan Noli" tek Pazari i ri, po përpiqet të mbijetojë. Luis Meçja kishte po kaq njerëz të dielën që ishin për të, por ishin sepse shënoi dy gola në ndeshjen që Dinamo U15 luajti në Kavajë, sot, 24 orë pas atij gëzimi pa vdekjen në sy, dhe që për fat i është larguar. Por nuk ndodhi kështu me shokun e tij, mbrojtësin e majtë të Dinamos U15, i cili si për të kërkuar ndihmë pas thikës në zemë, tentoi të rikthehet në oborrin e shkollës, por tek dera mbeti, përgjithmonë!
Nuk kam fjalë, ky vend duket sikur rrit vetëm të keqen, të mirët ikin, mbeten hajdutët, vrasësit, që po rrisin gjenerata me shembujt e tyre”, shkruan ai.
Sherri për motive banale, sot do të përfundonte me vdekjen e 14-vjeçarit Martin Cani si dhe dy të plagosur.
Kujtojmë që ngjarja u shënua mesditën e kësaj të hëne, ku një konflikt mes nxënësve të “Fan Nolit” dhe një tjetër shkolle në Sauk përfundoi në tragjedi. Konflikti mes të rinjve kishte nisur në rrjetet sociale dhe u zhvendos në afërsi të shkollës “Fan Noli” në të cilën shkolloheshin dy të rinjtë, viktima dhe shoku i tij.
Policia e Tiranës bëri me dije se ngjarja ndodhi rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli”. Katër të rinjtë u konfliktuan me njëri-tjetrin, konflikt i cili më pas agravoi deri në përdorimin e thikës.