Fieraku Gledi Mici është një nga futbollistët lider te Kukësi, por ai shkaktoi 11-metërsh në sfidën kundër Rudarit e luajtur në “Elbasan Arena” një javë më parë. Por, fieraku nuk e mban mendjen pas dhe shpreson te kualifikimi, madje kërkon që të shënojë gol apo të japë asist në sfidën e nesërme. I kontaktuar nga mediat ditën e sotme, Mici bëri analizën e kundërshtarit, ndërsa beson te eksperienca e verilindorëve për të kaluar turin e parë.
[caption id="attachment_13449" align="alignleft" width="300"] Mici kur luante për Flamurtarin[/caption]
“Pretendonim të fitonim dhe ta mbyllnim që në sfidën e parë me Rudarin. Bëmë një pjesë të parë të mirë, por në të dytën kundërshtari na ndëshkoi. Do të luajmë më mirë dhe do të shpresojmë të kualifkohemi. Duhet të shënojmë minimalisht një gol”, tha fillimisht lojtari i krahut të majtë në formacionin e verilindorëve.
“E kemi përgatitur ndeshjen mirë dhe e rëndësishme është të mos pësojmë. Do të japim të gjithë maksimumin. Shpresoj të jap asist ose të bëj gol, por e rëndësishme është që të kalojmë turin. Ne kemi eksperiencën e duhur për të kaluar këtë tur, gjë të cilën e treguam vjet këtë kundër Mladost”- shtoi më tej Mici.
I pyetur në fund për një kontratë me një klub të ri në Superiore apo jashtë Shqipërisë, ai u përgjigj: “Nuk mendoj për asgjë tjetër përveçse te ndeshja e së enjtes. Shpresojmë që të jenë sa më shumë tifozë kuksianë në stadium dhe që të fitojmë”.